Shumëkush mund të jetë kënaqur duke e parë shefin e zyrës serbe për Kosovën me duar të lidhura nëpër rrugët e kryeqytetit, por në aspektin diplomatik Kosova ka humbur. Kjo është thënë qartë dje nga zyrtarja e BE-së, e cila theksoi se Gjuriqit i është rrezikuar jeta, ndërkohë që diplomati amerikan Matthew Palmer i shkoi në zyrë për ta takuar enkas
Edhe pse kjo zyrë dihet se është krijuar dhe funksioni i vetëm i saj është provokimi i Kosovës, arrestimi i Gjuriqit i ka bërë dëme Kosovës.
Dje zyrtarja e BE-së, Angelina Eichorst, e cila i dha një varg detyrash dhe kritikash autoriteteve të Kosovës, ka thënë se Gjuriqit iu rrezikua jeta.
“Theks i veçantë i është dhënë dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ngjarjeve të fundit në Mitrovicë, me të cilat ishte vënë në rrezik siguria e kryenegociatorit të Serbisë dhe e shumë njerëzve që jetojnë dhe punojnë në veri”, thuhet në njoftimin që është dërguar nga BE-ja rreth bisedave të zyrtares evropiane në Prishtinë.
E Gjuriq e ka gëzuar edhe vëmendjen e diplomatit amerikan Matthew Palmer, i cili sot do të qëndrojë në Prishtinë. Zakonisht, diplomatët amerikanë, kur vijnë në rajon, vizitën e nisin nga Prishtina. Por dje ka ndodhur e kundërta. Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, ka shkuar së pari në Beograd. Përveç Presidentit dhe Kryeministres, ai e ka takuar enkas edhe një zyrtar të ulët, Marko Gjuriqin, i cili para dy javësh u arrestua dhe u soll i lidhur në Prishtinë. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, është takuar sot me ushtruesin e detyrës së zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Evroazi, Matthew Palmer.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Qeveria serbe, Gjuriq e Palmer kanë biseduar “për dhunën kundër popullit serb dhe kundër përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike të serbëve në Kosovë”.