Aktakuzë ndaj zyrtarëve të lartë të PDK-së, Prokuroria i ndjek për aferën “Pronto”

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave të dyshuar për aferën e njohur si “Pronto”. Pjesë e aktakuzës janë dy ish-shefat e GP të deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti, ministri i Inovacionit Besim Beqaj, Ferat Shala, Njazi Kryeziu dhe të tjerë zyrtarë të të njëjtës parti.

Ky është njoftimi i plotë: 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.  Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z.P., dy ish Sekretar të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit N.K. dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P.

Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Për ndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme