Kjo është prokurorja që po i ndjek penalisht protagonistët e aferës “Pronto”

Prokurorja Drita Hajdari, disa vite pas rrjedhjes në publik të përgjimeve të njohura si afera “Pronto”, ka arritur të ndjekë penalisht 11 zyrtarë dhe persona të afërt me PDK-në. Ajo, të premten, ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-shefave të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti. Po ashtu, në mesin e 11 të akuzuarve janë edhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, Fatmir Shurdhaj, Njazi Kryeziu dhe zyrtarë të tjerë të PDK-së
Adem Grabovci, që veten e quante shef i shefave, në një nga përgjimet “Pronto”, do të ulet shumë shpejt në bankën e të akuzuarve në Gjykatë. Kjo, pasi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe 10 zyrtarëve e njerëzve të afërt të PDK-së për punësime me nepotizëm.

Bashkë me Grabovcin, në të njëjtën aktakuzë përfshihet edhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, sikurse edhe deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe zyrtarët të tjerë Fatmir Shurdhaj, Njazi Kryeziu etj.

Pjesë e aktakuzës janë edhe Ilhami Gashi, Sedat Gashi dhe Arbenita Pajaziti, Xhavit Dakaj, raporton Gazeta Express.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”. Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z.P., dy ish-sekretarë të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish-zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish-drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish-drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit N.K. dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P”, ka njoftuar të premten Prokuroria Speciale.

Aktakuza është ngritur nga prokurorja speciale Drita Hajdari, e cila deri më tash është njohur për ndjekje penale të njerëzve të pushtetshëm, si në rastin e Fatmir Limajt për krime lufte, raporton Gazeta Express.

Prokurorja Hajdari kishte ndjekur penalisht edhe ish-ministrat Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri.

Vepra penale për të cilën prokuroja speciale po akuzon disa nga protagonistët e aferës “Pronto” është “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Disa prej veprave kanë mbetur në tentativë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshëm personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit, si dhe mediet dhe shoqëria civile.

Afera “Pronto” ishte publikuar nga mediet, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës. /GazetaExpress/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme