Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me atentatin me tritol të ndodhur dje në Lazarat në familjen e 22- vjeçarit të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s.
Shpërthimi me lëndën plasëse ka ndodhur në fshatin Lazarat në orët e para të së enjtes.
Lënda e cila dyshohet se ka qenë një sasi prej 200 gramësh tritol, ka shpërthyer në orën 02:30 minuta në portën e dytë hyrëse të banesës së Adem Selimit.
Mësohet se, tritoli është vendosur në momentin kur pjesëtarët e familjes Selimi po flinin, shkruan Panorama.
Lidhja me vrasjen e efektivit të RENEA-së në Lazarat:
47-vjeçari Adem Selimi, është i ati i Klodian Selimit, një nga pjesëtarët e grupit prej 11 personash, të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat, rreth tre vite më parë.
22-vjeçari u arrestua në korrik të vitit 2015, teksa qarkullonte me mjetin në zonën e poshtme të Lazaratit.
Klodian Selimi, djali i Adem Selimit, është dënuar 13 vjet burg. Ai është një nga të pandehurit që bashkëpunoi me Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes, ku humbi jetën oficeri i RENEA-s.