Në kuadër të nisjes së sezonit turistik ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi kërkoi masa urgjente për përmirësimin e kushteve.
Sipas tij çdo plazh privat apo publik do të ketë roje për të evituar rastet e mbytjeve, që vitin e kaluar shënuan një rekord.
Ndërsa një problem shqetësues që kërkon zgjidhje është edhe muzika e lartë, ndaj sipas ministrit deri në orën 00:00 do të lejohet.
“Është e pafalshme që të gjithë ambientet publike dhe private, por sidomos këto që janë private: që kanë 5-6 djem që heqin dhe vënë shezlong, që shërbejnë në plazh, të mos kenë një prej tyre të trajnuar, të licensuar, të veshur me uniformën përkatëse dhe të mos kenë roje deti. Problematika e mjeteve motorike të ujit në det, të cilët tashmë janë shtuar shumë dhe ne vjet kemi pasur edhe humbje jete. Edhe për këtë duhet të jemi shumë transparent, me përdoruesit e këtyre mjeteve.”
Ministri kërkoi që brenda muajit prill kryebashkiakët të hartojnë një fashë orari për lejimin e muzikës në lokalet e natës.
“Brenda muajit prill, çdo vend që do të lejojë muzikën me orare dhe me fasha oraresh, nëse do të vendoset që muzika gjatë javës të jetë deri në 23.00 dhe në fundjavë mbase deri në 00.00, duhet t’ia bëjmë të qartë dhe me dije që në orën 00.00 mbyllet dhe mbyllet”, tha ministri.