Turqia dënon fuqishëm sulmin me armë kimike me përmbajtje të gazit helmues në Duma të Sirisë për të cilin ka dyshime të forta se është kryer nga regjimi sirian, i cili për përdorimin e armëve kimike njihet nga komuniteti ndërkombëtar, transmeton AA, përcjell Sakte.net
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë thuhet se me një shqetësim të thellë është marrë lajmi se mbrëmë ka ndodhur një sulm të ri me armë kimike e cila në objektiv ka marrë qarkun Duma në Siri ku si pasojë kanë humbur jetën një numër i madh i civilëve.
“Dënojmë fuqishëm sulmin për të cilin ka dyshime të forta se është kryer nga regjimi, regjistri i të cilit për përdorimin e armëve kimike njihet nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo ngjarje tregon edhe një herë se janë hedhur poshtë vendimet numër 2118, 2209 dhe 2235 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për përdorimin e armëve kimike në Siri”, thuhet në deklaratë.
Duke shprehur pritjen për reagimin e komunitetit ndërkombëtar kundër sulmit në fjalë dhe për fillimin e menjëhershëm të hetimeve në lidhje me rastin nga organizatat ndërkombëtare, duke filluar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, në deklaratë thuhet:
“U bëjmë thirrje palëve me ndikim mbi regjimin sirian që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm duke i përmbushur përgjegjësitë e tyre për dënimin dhe ndalimin e menjëhershëm të këtyre sulmeve që paraqesin krim ndaj njerëzimit, që civilët i marrin në objektiv pa ndonjë dallim dhe po përsëriten meqë nuk janë marrë masat ndaj sulmeve të mëparshme”.
Ekipet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore njoftuan se në sulmin e djeshëm me armë kimike të regjimit të Asadit ndaj vendbanimeve civile në qarkun Duma, kanë humbur jetën 40 civilë.