Lista Serbe i konsideron lojë përpjekjet për Asociacionin

Lista Serbe do të vazhdojë ta mbrojë qëndrimin e saj se përfaqësuesit e serbëve janë të autorizuarit e vetëm për ta bërë draftin e statutit për Asociacionit apo bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pavarësisht që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti e Kosovës, Hashim Thaçi, kanë riaktivizuar Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit.

Igor Simiq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se komunikimi ndërmjet këtij subjekti politik dhe liderëve të institucioneve të larta të Kosovës, lidhur me procesin për formimin e Asociacionit, por edhe në përgjithësi, aktualisht nuk është i mirë.

“Pas dhunës brutale që ka ndodhur më 26 mars të këtij viti, komunikimi nuk është në nivelin e lakmueshëm. Por, pavarësisht nga kjo, nuk ka nevojë që dikush t’i bëj thirrje Listës Serbe për draftimin e statutit të Bashkësisë së komunave serbe, sepse sipas marrëveshjes së Brukselit, kjo është në kompetencë të Ekipit Menaxhues, të cilin e përbëjnë katër përfaqësues të serbëve. Ata janë të autorizuarit e vetëm që ta bëjnë draftin e statutit dhe atë ta paraqesin në Bruksel”, thotë Simiq.

Në anën tjetër, drejtuesit e institucioneve të larta të vendit janë zotuar se Kosova do t’i respektojë obligimet që ka marrë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë këtu edhe formimin e Asociacionit. Megjithatë, zyrtarët e kabinetit të kryeministrit Haradinaj, nuk kanë qenë të qasshëm për të shpjeguar nëse ka nisur puna e Ekipit Menaxhues për drejtimin e statutit të Asociacionit dhe cilat janë mundësitë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Listën Serbe për Asociacionin.

Por, ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, në mandatin e kaluar qeverisës, Bajram Gecaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se parametrat për procesin e formimit të Asociacionit, përfshirë edhe draftimin e statutit të saj, janë të përcaktuara paraprakisht.

Siç thotë ai, statuti i Asociacionit, të paktën drafti i parë, duhet të përpilohet në Prishtinë nga Grupi Menaxhues, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, OSBE-në dhe Bashkimin Evropian.

Megjithatë, sipas tij, situata e krijuar lë përshtypjen që as Lista Serbe e as institucionet e Kosovës nuk janë serioze në raport me këtë çështje.

“Nuk janë të interesuara asnjëra palë që kjo çështje të ecë përpara. Këtu ka të pavërteta nga të dyja anët, e posaçërisht nga ana e Listës Serbe sepse nuk janë të autorizuarit e vetëm. Është një Grup Menaxhues, në të cilin është e vërtetë që janë katër serbë, por megjithatë, ata duhet të bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës. Pra, me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, që është institucion i Republikës së Kosovës. Pra, jo atë institucion ta përfaqësojë dikush nga Lista Serbe, por të përfaqësohet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me OSBE-në dhe me BE-në, ky statut të përpilohet”, tha Gecaj.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe, patën deklaruar se në rast se autoritetet e Prishtinës nuk e formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill, atëherë këtë do ta bëjnë vetë, në mënyrë të njëanshme përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Deputeti Simiq thotë se Lista Serbe kërkon që Asociacioni të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe se formimi i saj është obligim të cilin autoritetet e Kosovës e kanë pranuar në Bruksel.

“Fatkeqësisht, paralajmërimet të cilat po i dëgjojmë në media kohët e fundit, flasin se nuk ekziston dëshirë e sinqertë që marrëveshja të zbatohet, por qëllimi është që të bëhet lojë me disa trupa të ri, të cilët marrëveshja nuk i parasheh. Kryetarët e komunave me shumicë serbe dhe këshilltarët e komunave kanë thënë qartë se presin që Prishtina ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes. Prandaj, të presim deri më 20 prill që të shohim se cilat do të jenë veprimet e Qeverisë në Prishtinë”, thekson Simiq.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë theksuar më herët se autoritetet e Kosovës “dëshirojnë ta formojë Bashkësinë, e cila do të ngjante në diçka boshe”.

Ndërkaq, më zyrtarët e Qeverisë së Kosovës patën deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhet vetëm sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe nga institucionet legale të Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme