Së fundmi është raportuar se kompania gjermane prestigjioze, BMW, është duke planifikuar investime të mëdha në elektrifikimin e gamës së saj, ndërsa tani raportohet për disa modele të reja elektrike.
Njëri nga ta, sipas të gjitha gjasave, do të jetë edhe BMW i1 i bazuar në platformën e modelit Mini Cooper Electric tashmë të paralajmëruar, i cili pritet të arrijë gjatë vitit të ardhshëm.
BMW i1 do të jetë më i madh se i3, i cili nuk do të ketë gjeneratë të dytë, dhe përveç platformës, nga Mini Cooper Electric do të huazojë edhe motorin elektrik (i vendosur në pjesën e përparme).
Gjithashtu, i1 duket se do të jetë modeli më i vogël i veturave elektrike të BMW-së dhe ka shumë gjasa që të vijë në formë Hatchback me pesë dyer.
BMW vitin e kaluar e ka regjistruar etiketën i1, por edhe të gjitha etiketat nga iX1 deri iX9.