EULEX ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që dyshohen se kanë ushtruar ndikimin e tyre që në këmbim të pagesave deri në 1 mijë Euro, të sigurohet statusi dhe pensioni i veteranit të UCK-së.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, aktakuza përfshin edhe mundësimin ose detyrimin në prostitucionin, duke u pretenduar se njëri nga të pandehurit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave, duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj.
Ky është njoftimi i plotë i prokurorisë:
Një prokuror i EULEX-it ngrit aktakuzë për Posedim të paautorizuar të armëve, Mundësim ose detyrim në prostitucion, Ushtrim të ndikimit, Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve
Prishtinë, 17 prill 2018 – Një prokuror i EULEX-it e ka ngritur një aktakuzë kundër gjashtë (6) të pandehurve. Të pandehurit akuzohen për veprat penale Posedim i paautorizuar i armëve, Mundësim ose detyrim në prostitucion, Ushtrim i ndikimit, Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve.
Policia e Kosovës dhe e EULEX-it i kanë filluar hetimet e tyre të përbashkëta në janar të vitit 2016. Hetimet kanë sjellë deri te zbulimi i një rrjeti ilegal të tregtimit të armëve dhe një sasie të armëve që përbëheshin nga eksplozivë dhe dy armë automatike. Përveç këtyre, në posedim të pandehurve ishin kapur edhe disa armë tjera të ndryshme.
Të pandehurit pretendohet se kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro. Të pandehurit kësisoj e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror të Kosovës.
Tre të pandehur janë akuzuar për veprat penale në lidhje me këto veprimtari (Ushtrim i ndikimit, Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve), nga të cilët dy ishin falsifikuesit e këtij statusi me anë të mashtrimit, ndërsa njëri ishte përfitues i statusit të falsifikuar të veteranit të luftës.
Në të njëjtën kohë, njëri nga të pandehurit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave; duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj dhe duke përfituar nga kjo veprimtari.
Kjo aktakuzë është ngritur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.