Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova e cila i ka dorëzuar Raportin e Bashkimit Evropian.
Hoxhaj në një konferencë për media theksoi se gjuha e cila është përdorur në këtë raport është një gjuhë premtuese.
Ai tha se tani i mbetet qeverisë së Kosovës që të shqyrtojë këtë raport si dhe të hartojnë një plan të veprimit për t’i zbatuar të gjitha kërkesat dhe gjetjet nga raporti.
“Pranova zyrtarisht në emër të qeverisë Raportin e Progresit që e mbulon një hapësirë kohore nga vjeshta e viti 2016, deri në prill të vitit 2018. Ne si Qeveri do të shqyrtojmë shumë seriozisht këtë raport dhe të hartojmë një plan të veprimit dhe si Qeveri do t’i zbatojmë të gjitha kërkesat dhe gjetjet që kanë dal nga ky raport”, ka thënë Hoxhaj.
Ai po ashtu potencoi se pritja kryesore e qeverisë si dhe e qytetarëve është liberalizimi i vizave, ku këtë pritje siç tha ai do ta shndërrojnë në një realitet konkret gjatë këtij viti.
“Pritja kryesore që ka pasur Kosova dhe që kanë qytetarët është procesi i liberalizimit të vizave. Gjuha që është përdorur në këtë raport është një gjuhë premtuese. Ka një vlerësim pozitiv dhe neve na mbetet që të bëjmë punë brenda vendit. Na mbetet që të lobojmë tek vendet anëtare por edhe tek institucionet në Bruksel, që pritjen e qytetarëve ta shndërrojmë në një realitet konkret gjatë këtij viti”, u shpreh tutje Hoxhaj.