Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka folur për “Gazeta Blic”, rreth aktakuzave që EULEX-i, ka ngritur sot ndaj gjashtë personave, që dyshohen se kanë ushtruar ndikimin e tyre që në këmbim të pagesave deri në 1 mijë Euro, që të sigurohet statusi dhe pensioni i veteranit të UÇK-së.
Hoti, tha se, deputetët nuk duhet të merren më këtë çështje, pasi kjo i takon organeve të drejtësisë.
“Ne nuk duhet të merremi me dyshimet e EULEX-it, ajo është një çështje që i’u takon organeve të drejtësisë, kushdo është kompetent – qoftë EULEX, ose kushdo. Nuk mendoj që është në objektivin tonë të shprehim ndonjë opinion vlerësues”, thotë Hoti.
Deputeti Hoti, përsëriti se, deri më tash, nuk kanë pasur shumë informacione lidhur me këtë çështje, dhe që janë duke pritur që të zgjidhet ky problem me veteranët.
“Ne nuk kemi shumë informata, dhe po presim se çka do të ndodhë, për momentin qëndrimi ynë lidhur me parregullsitë dhe keqpërdorimet e mundshme me listat e veteranëve, menaxhimi i këtij procesi, ne do të qëndrojmë prapa zgjidhjes dhe zbardhjes së këtij procesi”.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, këto aktakuza – ndaj këtyre personave, përfshinë edhe detyrimin në prostitucion, duke u pretenduar se njëri nga të akuzuarit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave, duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj.
“Policia e Kosovës dhe e EULEX-it kanë filluar hetime të përbashkëta në janar të vitit 2016. Hetimet kanë sjellë deri te zbulimi i një rrjeti ilegal të tregtimit të armëve dhe një sasie të tyre që përbëheshin nga eksploziv dhe dy armë automatike. Përveç këtyre, në posedim të të pandehurve ishin kapur edhe disa armë tjera të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, në këmbim të një pagese deri në një mijë euro.
Të pandehurit kësisoj e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror të Kosovë, thuhet në kumtesë.
“Tre të pandehur janë akuzuar për veprat penale në lidhje me këto veprimtari (Ushtrim i ndikimit, Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve), nga të cilët dy ishin falsifikuesit e këtij statusi me anë të mashtrimit, ndërsa njëri ishte përfitues i statusit të falsifikuar të veteranit të luftës”.
Aktakuza është ngritur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.