E mërkurë, 26 Tetor 2016 – Sakte.net
Dorëheqja e Nexhat Demakut nga posti i kryetarit të Komunës së Drenasit pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ku e shpallë fajtor duke e dënuar me 3 vjet burg, ka bërë që të fillojnë të lakohen emrat se kush mund të jetë pasaardhësi i tij.
Njëri nga deputetët e PDK-së, Nait Hasani ka theksuar për Gazetën Blic se partia më e madhe në vend, do ta gjej një kandidat i cili është më i miri dhe i cili do t’i fitoj zgjedhjet.
“Tashmë PDK do të vendos dhe një kandidat që mendon që i fiton zgjedhjet”, ka theksuar ai, duke mos dashur që të lakoj emrat e mundshëm për këtë post.
Ndërkohë, sipas të gjitha gjasave edhe Skenderaj mund të shkoj në zgjedhje të reja, kjo për faktin se siç kanë raportuar mediet, edhe kreut të kësaj komune mund t’i vërtetohet dënimi i dhënë nga Gjykata Themelore, ku ai ishte shpallur fajtor për krime lufte.
Ndërkohë, drejtues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë theksuar se ata janë të gatshëm që në çdo moment t’i organizojnë këto zgjedhje.