Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës Klinë e Epërme – Komoran. E fjalimi i Veselit në këtë ceremoni ishte i ngjashëm me ato të fushatave zgjedhore. Premtoi se do ta zhvillojnë Kosovën. Por, për të marrë pjesë në këtë aktivitet, ai injoroi postin e të parit të Kuvendit. Deputetët janë mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën po diskutohet për të gjeturat e Raportit të Progresit. E, derisa Veseli angazhohet të bëjë premtime të stilit ‘Kosova do të bëhet Zvicra e Ballkanit’, seanca po drejtohet nga nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK’së, Xhavit Haliti – shkruan Periskopi.
Gjatë fjalimit të tij të ngjashëm me atë të tubimeve zgjedhore, Veseli me rastin e fillimit të punimeve të rrugës Klinë e Epërme – Komoran, tha se në Kosovë po ndodhë zhvillimi dhe ndryshimi pozitiv.
Por, krejt ndryshe rezultojnë të jenë të gjeturat e Raportit të Progresit, për të cilat po diskutojnë deputetët në një seancë të Kuvendit, ku po mungon kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Këto veprime të Veselit vijnë pas paralajmërimeve të opozitës për një mocion të mundshëm për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për të cilat duket se ka nisur angazhimet kreu i PDK’së.
Në fillimin e punimeve të rrugës, Veseli citohet të ketë thënë se ata që dyshojnë sot se në Kosovë po ndodhë ndryshimi pozitiv, janë të njëjtit që dje mendonin se nuk mund të çlirohet Kosova.
“Ne e çliruam Kosovën. E bëmë shtet të pavarur dhe sovran. Do ta bëjmë shtet të zhvilluar ekonomikisht dhe vend dinjitoz për qytetarët e saj, me rrugë moderne, spitale, shkolla e vende pune për të rinjtë e Kosovës. Nuk ka forcë që mund të na ndalë në këtë mision të shenjtë”, theksoi kreu i Kuvendit.
Madje, gjatë organizimit Veseli propozoi që rruga moderne nga Klina e Epërme deri në Komoran, të marrë emrin e heroit kombëtar Shaban Polluzha.
Por, a janë veprimet e Veselit paralajmërim për zgjedhje të parakohshme?
Kohëve të fundit janë shpeshtuar deklaratat e opozitarëve se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, duhet të shkojë në shtëpi.
LDK ka ngritur zërin për urgjencën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Madje sot, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti gjatë konferencës javore tregoi se të mërkurën do të mbahet një tryezë me partitë politike.
Raportohet se në këtë tryezë, ndër të tjerash do të diskutohet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Ende pa u rrëzuar Qeveria e kaluar e Isa Mustafës, e cila ishte në koalicion me PDK’në e Listën Serbe, Kryetari Kadri Veseli kishte filluar turin e dëgjimit.
Fillimisht ai e nisi me qytetarë, e më pas ky tur u konkretizua në turin me ekspertë që rezultoi me ‘Fillimin’ e ri.
Partia e Veselit kishte votuar pro mocionit të partive opozitare për rrëzimin e Qeverisë që udhëhiqej nga kryetari i LDK’së, Isa Mustafa.
E një ditë pas rrëzimit të Qeverisë, Veseli kishte filluar fushatën edhe në televizionin publik, ku u publikua një video-mesazh i tij, në të cilën Qeveria Mustafa prezantohej si e paaftë për të marrë vendime të mëdha për vendin.
Nuk dihet se si do të veprojë PDK’ja në rast se opozita inicion mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Por, disa herë zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se në çdo kohë janë të gatshëm për zgjedhje./Periskopi