61 kosovarë fillojnë aftësimin profesional trevjeçar në Gjermani

Agjencia për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK) sot mbajti takimin përmbyllës me 61 punëkërkuesit kosovarë, të cilët në fillim të shtatorit do të fillojnë shkollimin dhe aftësimin trevjeçar profesional në profesionin “Përkujdesjen/e ndaj të moshuarve” në Gjermani.

Bedri Xhafa, udhëheqës i përgjithshëm i APPK-së, tha se të përzgjedhurit për nëntë muaj mësuan gjuhën gjermane si dhe u aftësuan për një jetë të re në Gjermani, njofton rtklive.com.

“Bashkërisht 9 muaj ditë pas një përzgjedhje përmes një procesi të definuar, punuat shumë me trajnerët për të mësuar gjuhën si njëri prej kritereve shumë të rëndësishme në arritjen e qëllimit. Punuat gjithashtu në aktivitetet e para integrimit që ne e vlerësojmë si komponent shumë e rëndësishme, që iu po përgatiteni për një jetë të re”, tha ai.

Ai tha se falë këtij programi po krijojnë kuadro profesional që do ndikojnë edhe në zhvillimin e vendit.

Çerkin Dukolli, zëvendësministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka deklaruar se përmes këtij programi kanë ndikuar pozitivisht në punësim dhe në aftësimin profesional drejt tregut të punës.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që nga fillimi ka bashkëpunuar dhe ka qenë pjesë aktive e implementimit të këtij programi migrimi legal i qytetarëve të Kosovës në arsim dhe aftësim profesional në Gjermani, dhe për këtë të gjithë duhet të ndihemi krenar, sepse kemi ndikuar pozitivisht qoftë në punësim, qoftë në përgatitjen e njerëzve për tregun e punës”, tha Dukolli.

Jan Axel-Voss, zëvendës ambasador i Gjermanisë në Kosovë, ka theksuar se janë të interesuar që të ndihmojnë Kosovën në aspektin e zhvillimit profesional.

Voss tutje tha se në institucionet e Diakonisë, 61 punëkërkuesit kosovarë do të aftësohen për kujdesin ndaj të moshuarve, një profesion i cili është shumë i kërkuar në Gjermani.

“Pas kësaj faze të trajnimeve ju do të shkoni në Gjermani dhe atje prapë do të rifilloni një aftësim, dhe siç na e thonë ju do të jeni atje si nxënës për aftësim profesional. Ju e dini se të gjithë do të jeni në institucionet e Diakonisë dhe atje do të aftësoheni për profesionin për kujdes ndaj të moshuarve, një profesion që në Gjermani kërkohet shumë dhe për të cilën kanë nevojë shumë, pasi që shoqëria jonë çdo herë e më shumë po plaket”, u shpreh Voss.

Kurse, bashkëpunëtori ndërkombëtar i Diakonisë (ndërmarrje sociale në Gjermani), Johannes Flothow, ka nënvizuar se fal punës së gjeneratave të kaluara në Gjermani, edhe gjenerata e katër është shumë e mirëpritur në Diakoni.

“Pasi që personat të cilët janë në Gjermani në grupet e mëparshme janë angazhuar shumë, kanë treguar rezultate të mira, punë shumë të mirë, përfaqësuesit e institucioneve të Diakonisë prapë gjenden në Kosovë dhe dëshirojnë që të vazhdojnë projektin, pasi që janë shumë të kënaqur me punën e atyre që kanë shkuar para jush”, tha ai.

Sipas tij ky projekt do të vazhdojë edhe në vitet e ardhme, me qëllim që të rinjve kosovar t’u jepet mundësi për aftësim profesional jashtë vendit.

Ndryshe, ky projekt i Agjencia për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK) ka nisur para katër viteve në bashkëpunim me institucionet e Diakonisë, dhe kjo është gjenerata e katër që do të vazhdojnë aftësimin dhe shkollimin profesional në Gjermani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme