Partitë opozitare i janë përgjigjur me refuzim ftesës së Qeverisë së Kosovës për konsensus rreth Platformës Shtetërore.
Përveç përmbajtjes, veçanërisht rolit që i jepet presidentit, deputetët kanë listuar edhe mangësi të tjera të këtij dokumenti, shkruan sot Koha Ditore.
Nga ana e Qeverisë kanë munguar sqarimet se nëpërmjet cilës mënyrë synojnë përligjjen e Platformës.
Kryetarja e Komisionit për Punë të jashtme, Vjosa Osmani, (LDK) ka thënë se Platforma e miratuar në Qeveri është ikje nga përgjegjësia.
Ajo ka shtuar se Platforma është duke u shqyrtuar në grupin parlamentar dhe në organe të tjera të partisë.
Para se ta mandatojë kryeministri, presidenti Hashim Thaçi kishte marrë vetë komandën e dialogut, verën e kaluar. Derisa Kosova ishte në vakuum institucional për shkak të rrëzimit të Qeverisë, Thaçi zhvilloi disa takime në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se për ta është e papranueshme tendenca e Haradinajt për ta legjitimuar Thaçin në dialog.
Politologu Belul Beqaj ka parashikuar vështirësim të situatës në fazën finale të dialogut.