Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të mërkurës në Kamzë.
Persona ende të paidentifikuar kanë tentuar të grabisin një dyqan, ku ndodhej një çift bashkëshortësh.
Në rrethana ende të paqarta, grabitësit kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre, duke i lënë fillimisht të dy të plagosur, raporton TCH.
Dy personat e plagosur u dërguan me urgjencë në spital, ku fatkeqësisht burri nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra me armë zjarri, ndërsa bashkëshortja ndodhet në gjendje të rëndë.
Deklarata e policisë
Më datë 25.04.2017, rreth orës 21:07, ka ardhur njoftimi se në rrugën “OSBE”, ka plagosje me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca ku nga verifikimet paraprake ka rezultuar :
Në rrugën “OSBE”, janë plagosur me armë zjarri në një dyqan shtetasit A. B., dhe M. B., (burrë dhe grua) nga persona ende të paidentifikuar.
Shtetasit e plagosur janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital, ku shtetasi A. B., ndërroi jetë, ndërsa bashkëshortja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Janë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë dhe hyrje – dalje të Kamzës e në pika të tjera.
Vazhdon krehja e zonës dhe kontrolli i territorit.
Grupi hetimor në vendngjarje po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit / ve.