Përfaqësuesi i familjes së personave të pagjetur, Bajram Qerkini, shprehet i zhgënjyer me premtimet e institucioneve kosovare se, shumë shpejt, do të zbardhet fati i të pagjeturve në Kosovë.
Qerkini, në një bisedë për “GazetaBlic”, tha se, tashmë, ka kaluar shumë kohë duke pritur të zgjidhet kjo çështje. Kjo pritje vetëm sa po i mundon më shumë familjarët e të pagjeturve.
“Neve na shkoi shumë kohë duke besu, ne familjarët jemi në përfundim e sipër të jetës, ne ju kemi besu gjithmonë premtimeve të Institucioneve kosovare, premtime këto që nuk kanë fund. Dhe, lojnave të Serbisë, Institucionet kosovare nuk po janë në gjendje më i’u dhanë fund. Po na mbajnë peng edhe neve që jemi gjallë, deri kur me besu më”, thotë Qerkini.
Qerkini, u shpreh pesimist se në përfundim të dialogut Kosovë-Serbi, do të zgjidhet edhe kjo çështje. Ai, shtoi se vetëm faktori ndërkombëtar mund t’i jep fund këtij problemi.
“Aspak nuk besoj në dialog. Dialoge këto, të cilat po zgjasin tash e sa kohë dhe janë gjithmonë të njëjtat fjalë. Ne jemi në ankth të madh dhe nuk mund të besojmë më asnjë pikë. Unë mendoj që vendorët nuk mund të zgjidhin asgjë, pa presionin e ndërkombëtareve, sepse, ndërkombëtarët, duhet të bëjnë presion në Serbi, ata e dinë mirë së çka ka bërë Serbia dhe ata duhet të bëjnë presion politikisht, por, edhe në masa tjera të dhunshme, siç kanë pasur edhe më herët, sepse, kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Nuk ka rahati deri sa janë edhe 1600 persona të pagjetur”, tha Qerkini për “GazetaBlic”.
Edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, tha për “GazetaBlic”, se dialogu me Serbinë, nuk do të mund ta zbardhe fatin e të pagjeturve, pasi që, kjo temë, as nuk është në kuadër të bisedimeve me palën serbe.
“Ende kjo temë nuk është futur në kuadër të bisedimeve me Serbinë, në kuadër të bisedimeve politike. Megjithatë, edhe bisedimet me Serbinë nuk janë duke u zhvilluar për momentin. Ne, kemi kërkuar që kjo temë të jetë në agjendën e bisedimeve dhe çështja e të pagjeturve të zhvillohet në dialog me ndërmjetësimin e ndërkombëtareve dhe kjo të bëhet në Bruksel”, potencoi Gjetaj.
Gjetaj, thotë se pa një presion ndërkombëtar, Serbia nuk do të tregoj vendodhjen e trupave të këtyre personave
“A do të zgjidhet çështja e të pagjeturve, është një pikëpyetje, për shkak se kjo nuk varet nga ne, por nga pala tjetër, e cila deri më tash nuk ka dhënë asnjë informacion se ku është vendodhja e varrezave masive, të cilat janë mbi 1600 persona. Pa një presion të ndërkombëtareve, sigurisht që nuk do të këtë ndonjë zhvillim në kuptimin e gjetjes dhe zhbllokimit të kësaj çështje”, ka përfunduar deklaratën Prenk Gjetaj.
Nusrete Kumnova, familjare dhe aktiviste e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, shprehu pakënaqësinë e saj pse deri tash nuk dihet asgjë për 1600 personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Për “GazetaBlic”, Kumnova tha se nuk pret as që përmes dialogut Kosovë-Serbi të zbardhet fati i të pagjeturve.
Edhe ajo, po ashtu, beson që vetëm bashkësia ndërkombëtare mund ta zbardh këtë çështje, kurse ata që kanë kryer vrasje dhe veprime tjera gjatë luftës, të dalin para drejtësisë.
“Unë si familjare, nuk besoj që do të do zgjidhet fati i të pagjeturve. Ne, po kërkojmë që të paktën të zbardhet. Me dialog nuk besoj që do të zbardhet fati i të pagjeturve, ne po kërkojmë nga Institucionet tona që të bëjnë presion ndaj Serbisë dhe te ndërkombëtarët dhe të zbardhet kjo çështje, kurse kriminelet të dalin para drejtësisë”.
Në fund, Kumnova tha se nuk pajtohet me Presidentin Thaçi për të arritur një marrëveshje me shtetin serb, përderisa të mos zbardhet fati i të pagjeturve.
Sot, shënohet dita e të pagjeturve. Me këtë rast, lidhur me fatin e të pagjeturve, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar në një seancë të jashtëzakonshme./GazetaBlic/