Njëri nga gjashtë turqit e kidnapuar nga Policia e Kosovës, AKI’ja dhe shërbimi inteligjent turk është dëbuar gabimisht nga Kosova. Autoritetet kosovare dhe ato turke ishin në ndjekje të Hasan Husein Demir, derisa Erdoganit ia dorëzuan Hasan Hüseyin Günakan. Skandali nuk përfundon këtu. Demir edhe pse vazhdon të qëndrojë në Kosovë, në dokumentin për urdhër dëbimin e tij ndodhet vula që thotë se ai më 29 mars 2018 është larguar nga Kosova.
Policia e Kosovës nuk ia qëlloi se kush është Hasan Demir, një nga gjashtë shtetasit turq, banorë të Kosovës, që AKI’ja i vlerësoi si kërcënim për sigurinë kombëtare pas vite të tëra qëndrimi të tyre në Kosovë.
Më 29 mars 2018, kur Policia e Kosovës, bashkë me AKI’në u vunë në ndjekje të një grupi shtetas turq të identifikuar si gulenista, po kërkohej edhe Hasan Huseyn Demir. Atij, sikurse pesë bashkëvendësve të tij nga Turqia, Ministria e Punëve të Brendshme ua kishte revokuar lejeqendimin në Kosovë dhe kishte urdhëruar largimin e tij nga Kosova.
Por, Demir, që edhe sot vazhdon të qëndrojë në Kosovë, nuk ra në duart e autoriteteve të Erdoganit. Kjo pasi, Policia e Kosovës e arrestoi gabimisht Hasan Huseyn Gunakan. Ky i fundit, bashkë me katër kolegë të tij nga kolegji “Mehmet Akif” dhe një mjek tjetër turk, iu dorëzuan Shërbimit Inteligjent Turk, që përmes Aeroportit të Prishtinës u deportuan për në Turqi, për tu përballur me një gjyq që konsiderohet politik.
Por, skandali me deportimin e gjashtë shtetasve turq nuk përfundon as tek kjo ngatërresë e autoriteteve kosovare.
Në bazë të dokumentit për urdhër largimin me forcë të Hasan Demir, të siguruar nga Gazeta Express, ky shtetas turk veçse është i larguar nga Kosova më 29 mars të këtij viti. Këtë e vërteton vula e Aeroportit të Prishtinës e cila është e vendosur poshtë nënshkrimit të Drejtorit të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj.
Ndërkohë që i njëjti vazhdon të qëndrojë në Kosovë, në qendrën e azilantëve në Magure të Lipjanit.
Dokumenti thotë që, turku që fizikisht ndodhet në Kosovë, por me letra është deportuar, gjatë 5 viteve të ardhshme nuk i lejohet të hyjë në territorin e Kosovës.
“Në mbështetje të nenit 6 dhe nenit 99 pika 2 të ligjit për të Huajt, nr. 04/L-219m, bazuar në dëshmitë e bazuara nga institucionet kompetente të siguresë, konsiderojmë se janë përmbushur kushtet ligjore për largimin me forcë nga territori i Republikës së Kosovës më datën 29.02.2018 për shtetësinë huaj Hasan Huseyn Demir, shtetas nga Republika e Turqisë për shkak se qëndrimi i tij i mëtutjemë në Republikën e Kosovës mund të paraqet kërcënim që lidhet me sigurinë shtetërore dhe rendin publik”, thuhet në arsyetimin e MPB’së për vendimin për urdhër largimin më forcë nga Kosova të Hasan Demir.
Një javë para këtij dokumenti, të njëjtit Ministria e Brendshme i kishte revokuar leje qëndrimin e përkohshëm në Kosovë, që ia kishte aprovuar vetë para më pak se një viti.
Ndërkohë se i dëbuari me dokumente Demir vazhdon të qëndroj në Kosovë, ku tashmë ka kërkuar azil, Hasan Huseyni që ka mbiemrin Gunakan tashmë gabimisht ndodhet në burgjet e shtetit turk, dhe një Prokurori e shtetit të Erdoganit i ka ngritur aktakuzë, sikurse pesë shtetasve turq tjerë të deportuar nga Kosova, vetëm pse dyshohen se janë përkrahës të Fetullah Gulenit.
Kidanapimin e më pas dëbimi i Gunakan, Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, u ka kushtuar më shkarkim nga detyra ish-ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj dhe ish-shefit të AKI’së Driton Gashi, si përgjegjës për aksionin që edhe Kryeministri i vendit e ka konsideruar të jashtëligjshëm, dhe kishte thënë se është ndërmarrë pa dijeninë e tij.
Avokatët e gjashtë të dëbuarve, janë ankuar ndaj vendimeve të MPB’së në Komisionin e Ankesave për të Huaj. Derisa, ankesat e tyre tek të enjten janë shqyrtuar dhe pritet vendimi.
Ndërkohë, gjatë aksionit të 29 marsit 2018, autoritetet kosovare kishin dështuar ta kapnin edhe Ugur Toksoyn, që po ashtu e kërkonin për ta dëbuar.