Në një aksident trafiku të ndodhur me 28.4.2018 rreth orës 20:45 minuta në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshme”, një veturë e Policisë së Kosovës në të cilën ishin dy policë, për shkaqe ende të panjohura, humb kontrollin dhe kalon në anën e majtë të rrugës dhe nga një lartësi bie në rrjedhën e lumit Lepenc.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë të gjitha njësitet relevante të Policisë së Kosovës, njësiti i zjarrfikësve, ndihma e parë, njësiti i FSK-së dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Të gjitha njësitë janë duke kontrolluar terrenin ku ka ndodhur aksidenti, por deri tani nuk kanë arritur të gjejnë policët e aksidentuar. Kërkimi është duke vazhduar rreth vendit të aksidentit dhe rrjedhës së lumit dhe për çdo informatë tjetër do të njoftoheni me kohë”, ka bërë me dije Policia e Kosovës, raporton Koha.net.
Në një prononcim për Koha.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë se kërkimet për 2 policët janë ndërprerë rreth orës 4 të mëngjesit për shkak të errësirës ndërsa pritet që aksioni të vazhdojë sot gjatë ditës.
Në lidhje me aksidentin ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se është shumë pikëllues lajmi për zhdukjen e dy policëve të Kosovës në lumin Lepenc.
“Ndajë shqetësimin me familjarë dhe miq në këtë fazë shumë të vështirë të shpresës dhe frikës për fatin e policëve tonë. Ngjarjet si kjo na bëjnë të mos harrojmë kurrë se policia e Kosovës është ajo që me shumë mund dhe shpesh dhe sakrificë kujdesen për një ambient të sigurt”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka falënderuar të gjitha njësitet relevante, Policinë e Kosovës, FSK-në, zjarrfikësit dhe të gjithë të përfshirët në kërkim të dy policëve tanë.
Ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaçi.
“Në këto momente të vështira të pritjes, dhembjes dhe shpresës jemi bashkë me anëtarët e familjeve të dy policëve, që u aksidentuan në rrugë buzë lumit Lepenc. Përgëzoj njësitet e FSK-së, të Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe qytetarë të shumtë, të cilët janë duke kërkuar policët që nga orët e para të aksidentit”, ka shkruar ai në Facebook.