Propozimi i kryeministrit Ramush Haradinaj që udhëheqja e dialogut me Serbinë t’i dorëzohet presidentit Hashim Thaçi nuk gëzon mbështetje as brenda koalicionit qeverisës.
Përveç opozitës që kundërshton rolin prijës të presidentit, së fundi edhe partneri i tretë për nga fuqia- Nisma Socialdemokrate- është deklaruar kundër propozimit të Haradinajt. Megjithatë, Platforma është futur në procedurë të organit ligjvënës, shkruan sot Koha Ditore.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka konfirmuar për gazetën se Platforma është në pritje për shqyrtim në mbledhjen e Kryesisë. Qeveria nuk e ka sqaruar nëse synon që Platforma të miratohet në formë të rezolutës apo ndonjë formë tjetër.
Për të kaluar si rezolutë në Kuvend, Platforma duhet të marrë mbështetjen e shumicës të së paku 61 deputetëve që duhet të jenë në sallë.
Por Qeveria Haradinaj e ka humbur shumicën në Kuvend, pasi Lista Serbe është deklaruar të jetë larguar nga koalicioni. Por edhe sikur të kthehet, nuk do të mundë të llogaritej në votat e Listës pasi që Platforma thërret për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Lista Serbe, ashtu si Beogradi zyrtar e kontestojnë shtetësinë e Kosovës.