Shefi i eskortës së kryeministrit Haradinaj i hynë biznesit të ndërtimeve

Shefi i eskortës së Kryeministrit Ramush Haradinaj, Arif Ahmetxhekaj i ka hyrë biznesit të ndërtimeve. Ai është njëri nga katër partnerët në biznesin “Urban – F GROUP” SH.P.K, i cili aktivitetin primar e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.

Kapitali themeltar i këtij biznesi është 1,5 milionë euro. Kjo është shuma që aksionarët kanë investuar deri më tani në këtë biznes. Selia e biznesit është në Ferizaj.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës figurojnë 4 pronarë të kompanisë “Urban- F Group”: Ylli Didani, Arif Ahmetxhekaj, Fatos Zariqi dhe Tom Duhani.

Kjo kompani është themeluar në muajin janar të vitit 2018.

Të njëjtit aksionar e kanë hapur edhe një biznes tjetër në muajin mars, madje edhe emri është gati i njëjtë: “Urban FA- Group”. Dallimi i vetëm i bizneseve edhe kapitali themeltar, që në biznesin e dytë është vetëm 1 mijë euro.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me shefin e eskortës së Kryeministrit Ramush Haradinaj, Arif Ahmetxhekaj, i cili e ka konfirmuar se e kanë nisur një biznes të ri.

Ramush Haradinaj dhe Arif Ahmetxhekaj || Foto: Facebook

Por, ai ka thënë se personi i autorizuar nga kjo kompani është Fatos Zariqi, i cili sipas Ahmetxhekajt ka kohë që merret me ndërtime.

Shefi i eskortës së Kryeministrit, Arif Ahmetxhekaj ka thënë se ende nuk kanë filluar me investimet.

“Po, unë jam bashkëpronar në këtë kompani. Jemi shokë bashkë partnerët, moti jemi me ta në rrjedha, e kemi qel, por hala s’kemi fillu me bo kurgjo”, tha Ahmetxhekaj për KALLXO.com

I pyetur se ku kanë menduar të investojnë, Ahmetxhekaj thotë se ata e kanë një parcelë që e kanë blerë që disa vite në Ferizaj.

“Ai shoku është i Ferizajt (Fatos Zariqi), pllacin e kemi marrë herët, që 13-14 vjet e kemi ble. Nuk e di se kur kemi me fillu me investimet, sepse Fatosi është në rrjedha edhe ai është duke investu edhe në Prishtinë”, tha Ahmetxhekaj për KALLXO.com.

Fatos Zariqi është djali i ish kandidati të AAK-së për kryetar komunë të Ferizajt në zgjedhjet e fundit lokale, Xhavit Zariqit. Xhavit Zariqi i AAK-së që nuk arriti të shkoj në balotazh u bashkua me kryetarin aktual Agim Aliu në koalicion qeverisës.

Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet PDK-së dhe AAK-së në këtë komunë, nënkryetari Naim Ferati është nga radhët e AAK-së, ndërsa vet Xhavit Zariqi është asamblist i AAK-së në këtë Komunë.

Ndërsa, siç ka thënë Ahmetxhekaj ndërtimet do të nisin në Ferizaj, në një pllacë që ata e kanë blerë shumë kohë më parë. Pra, ky biznes do të marr leje nga Komuna e Ferizajit, kur AAK-ja është në pushtet dhe babai i bashkëpronarit të tij, është asamblist.

Por, Fatos Zariqi thotë nuk do t’i shfrytëzojnë lidhje politike për t’i siguruar lejet e nevojshme për zhvillim të biznesit.

“Nuk presim dhe as nuk do të ketë ndikime qoftë politike apo ndonjë tjetër, nëse i plotësojmë kriteret për pajisje me leje ndërtimore do ta marrim, nëse nuk arrijmë të marrim leje do ta mbyllim këtë kompani”, tha Zariqi për Gazeten JnK.

Ai nuk pret se do të favorizohet nga qeverisja e Ferizajt.

“Për shkak se babai im është i kyçur në politikë, deri më tani e kam pasur shumë më të vështirë për zhvillimin e biznesit, sepse pikë së pari babai im është shumë parimor dhe së dyti kam pasur shpeshherë pengesa pikërisht për faktin që babi është në politik”, tha ai.

Ai ka treguar se kompania ende nuk është funksionale, mirëpo e kanë një parcel në të cilën synojnë të bëjnë ndërtime të larta.

“Me këtë kompani deri më tani nuk kemi pasur asnjë veprimtari. Jemi duke prit hartimin e planit zhvillimor nga Komuna e Ferizajt, e më pas të aplikojmë për marrjen e lejes ndërtimore për një parcel”, tha Zariqi. /Kallxo.com/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme