Ndërtimi i një ekipi gjithëpërfshirës, i cili udhëheq bisedimet e dialogut Kosovë-Serbi, po shihet si i pamundur për shkak të dallimeve pozitë-opozitë, por edhe brenda vetë partnerëve të koalicionit.
Me gjithë vullnetin e shprehur nga partitë për të arritur konsensus në fazën finale të dialogut, çështja kryesore që i ndan ato është roli prijës i presidentit Hashim Thaçi në këtë proces, shkruan sot “Koha Ditore”. Njohës të rrethanave kanë thënë se një Platformë e mirëfilltë do të duhej të nxirrej pas përfundimit të një debati të gjerë politik dhe shoqëror.
Propozimi i kryeministrit Ramush Haradinaj që komanda e dialogut t’i lihet Thaçit nuk gëzon mbështetje as brenda koalicionit qeverisës. Partneri i tretë për nga fuqia – Nisma Socialdemokrate është deklaruar kundër propozimit të Haradinajt.
Në kabinetin Haradinaj nuk kanë treguar se si, do t’i trajtojnë dallimet brenda koalicionit sa i përket rolit që duhet t’i jepet presidentit. Vetëm kanë thënë se Platforma do të diskutohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, “dhe pastaj do të jetë vendim i Kuvendit se çka do të ndodhë më tutje” .