Të dorëhequrit nga VV’ja pasi morën në duar Partinë Socialdemokrate, sot do të formalizojnë ristrukturimin e saj.
Të 12 deputetët e Grupit të Deputetëve të Pavarur do të bashkohen sot për të zgjedhur kryesinë e re të një partie të vjetër, me në krye një nga të dorëhequrit, shkruan gazetametro.net.
Mirëpo një detaj i Kuvendit të kësaj partie që do të mbahet sot ka rënë shumë në sy, madje ka nxitur reagimin e shumë aktivistëve të VV’së. Ata po e akuzojnë grupin e dorëhequr se po kalojnë në luks, duke përmendur faktin se Kuvendi do të mbahet në hotelin më luksoz në Kosovë, atë të Behgjet Pacollit.
E kjo gjë konfirmohet edhe në ftesën e dërguar nga PSD’ja, ku thuhet se Kuvendi do të mbahet sot me fillim nga ora 17:00 në ‘Swiss Diamond Hotel’.
Ndërkohë, kjo lidhje e formalizimit të partisë në konakun e Pacollëve nuk është krejt e rastësishme. Shpend Ahmeti që është një nga të dorëhequrit ka nënkryetar në Komunën që udhëheqë vëllain e shefit të partisë së AKR’së dhe të hotelit, Selim Pacollin.
Shpend Ahmeti mund të ketë marrë këtë vendim për mbajtje jo i vetëm, mirëpo si kandidati kryesor për kreun e partisë. Bile sot u raportua nga disa media se është arritur pajtimi që partinë ta udhëheqë kryetari i Komunës së Prishtinës.
Sidoqoftë, VV’ja po i kritikon për këtë fakt pasi gjatë kohës sa ishin në partinë e tyre, të dorëhequrit kishin proklamuar një jetesë dhe aktivitete politike modeste.G/Metro