Për ndalje të sulmeve dhe bashkëpunim mes Vetëvendosjes dhe Partisë Socialdemokrate ka bërë thirrje kryetari i kësaj të fundit, Shpend Ahmeti.
Këtë thirrje ai e ka bërë në paraqitjen e tij të parë si kryetar i dyfishtë – i Komunës së Prishtinës dhe partisë PSD.
Pasi tha se shpreson të arrijë koalicion me partinë me të cilën u zgjodh kryetar, Ahmeti shtoi se PSD-ja e Vetëvendosje duhet të bëhen bashkë kundër të keqes.
Lehtësi në bashkëpunim, sipas tij, krijon edhe fakti se programi qeverisës është po ai me të cilin i fitoi zgjedhjet – sa ishte në Vetëvendosje.
Njeriu që dikur kishte hequr dorë nga ligjërimi në një kolegj, e më vonë nga posti i nënkryetarit në parti – duke premtuar përkushtim 100% vetëm në udhëheqje të Prishtinës, bëri një zotim tjetër se drejtimi i PSD-së nuk do ta largojë kryeqytetin nga prioritetet e tij.
Partinë e tij të re, Ahmeti e cilësoi si nga më të rëndësishmet në vend, pasi drejton dy komuna e ka 12 deputetë.
Këto komente, i pari i Prishtinës i bëri pas një takimi me zyrtarë të kryeqytetit DesMoines të Iowas, me të cilën do të binjakëzohet kryeqyteti i Kosovës.
Aty, delegatja nga kjo komunë, Darlene Blake, tha se ky binjakëzim do të shërbejë veçmas në shkëmbimin e përvojave në fushën e bujqësisë.