Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim shefen e misionit të EULEX’it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, ku ndër të tjera është biseduar edhe për rolin e këtij misioni pas mandatit që skadon më 14 qershor, transmeton gazetametro.net
Haradinaj në një njoftim në Facebook ka lënë të kuptohet që EULEX nuk do të largohet nga Kosova as pas skadimit të mandatit, por do ta ndërrojë rolin në mision këshillëdhënës.
“Nga shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, u informova për rrjedhën e përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe procesin e shkëmbimit të letrave në mes të Presidentit dhe Përfaqësues së lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Edhe pas përfundimit të mandatit, EULEX-i në rolin këshillëdhënës, do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë në fuqizimin e mëtejmë të sundimit të ligjit”, shkruan Kryeministri.
EULEX është mision i Bashkimit Europian që ishte deleguar në Kosovë për të mbështetur kryesisht sferën e drejtësisë dhe me kompetenca vendimmarrëse. Misioni kishte ardhur në Kosovë më 2009, kurse numëron anëtarë të stafit rreth 800 persona.