Në kuadër të dialogut të brendshëm serb për Kosovën, sot në Beograd është mbajtur tryeza e re e rrumbullakët, e organizuar nga Forumi Nacional Serb (SNF) nga Graçanica. Siç raporton FoNet, në të kanë marrë pjesë serbët e Kosovës, të cilët, siç citohet të ketë deklaruar njëri nga oratorët, as që ka pasur nevojë të shkonin atje, meqë këtë kanë mundur ta organizojnë edhe në Kosovë, transmeton Koha.net.
Profesori i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, siç vazhdojnë serbët ta quajnë këtë fakultet e të tjerat që funksionojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, Dragisha Bojoviq, këtë takim e ka cilësuar si një nga takimet e kota dhe ka pyetur se nëse në këtë mbledhje i kishte ftuar presidenti i Serbisë, ka qenë e rendit të thuhet se kush është i deleguari i tij.
as që e morët mundin që në fillim të na tregoni se kush e përfaqëson kryetarin e shtetit dhe të qeverisë. Kot jemi sot në Beograd, meqë kemi mundur që të kuvendojmë si është më mirë përmes medieve edhe në Kosovë…” është shprehur ai.
Nuk e di kush është përfaqësuesi i presidentit të Serbisë, e ka pranuar lehtësuesi i mbledhjes, Aleksandar Gjikiq i Forumit Nacional Serb. Ai tregimin e Aleksandar Vuçiqit mbi arritjen e zgjidhjes për Kosovën e ka karakterizuar si vajtim, duke theksuar se negociatat e Brukselit praktikisht nuk ekzistojnë, meqë nuk është arritur asnjë kompromis për Serbinë, e as ndonjë rezultat.
Sipas profesorit të Fakultetit Juridik të Prishtinës, Dushan Çeliq, procesi i dialogut të brendshëm për Kosovën në Serbi është vonuar së paku gjashtë vjet dhe është dashur të fillonte më 2012, kur u nënshkrua marrëveshja e parë e Beogradit me Prishtinën.
Çeliq ka pyetur pse në atë marrëveshje askund nuk citohet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB, e as që përmendet ajo, transmeton Koha.net. Ai po ashtu kishte vërejtje si bëhet që Serbia të mos ketë Këshill Shtetëror për Kosovën, meqë ajo është problemi i saj kryesor. Kjo tryezë e rrumbullakët nuk mund ta zëvendësojë atë këshill, ka konstatuar ai.
Ish-funksionari i lartë komunist e socialist nga Kosova në Beograd, Vukashin Jokanoviq rikujtoi se deri më tash rreth çështjes së Kosovës gjatë dekadave ka pasur shumë zgjidhje, por asnjëra nuk ka qenë përfundimtare, meqë të gjitha kanë zgjatur shumë shkurt.
Jokanoviq ka shfaqur opinionin se kjo çështje duhet të mbahet në nivel të konfliktit të ngrirë, porse është e nevojshme të gjendet një kompromis me shqiptarët ndërsa “termini themelor duhet të jetë paqja, siguria, lëvizja e lirë dhe kthimi i të dëbuarve kudo që kjo është e mundshme”.
Jokanoviq është shprehur se marrëveshja juridike detyruese me Prishtinën, e cila ofrohet, për Serbinë është fletë e bardhë dhe se “do të zgjidhet vetëm ashtu si i përgjigjet Prishtinës dhe vetëm ajo do të zbatohet”, citon Koha.net raportimin e FoNetit.
Vukashin Jokanoviq ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës në vitet kur Serbia me forcë ia mori kësaj kompetencat kushtetuese që i takonin. Ai ishte ministër i Brendshëm në Serbi po ashtu kur mbi shqiptarët regjimi i Mollosheviqit ushtroi represionin më të egër, rikujton Koha.net.