Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinaj, do të jetë Qeveria e parë e cila do të shkojë deri në fund të mandatit. Kjo do të ndodhë për shkak të disa proceseve të mëdha, por dhe për shkak të profilit që ka Haradinaj.
Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi, sipas të cilit, Haradinaj do ta çojë këtë mandat deri në fund edhe për shkak të punës së tij.
“Unë besoj se kjo është e vetmja Qeveri, e cila do të shkojë në fund të mandatit. Asnjë qeveri deri sot se kemi pas që ka shkuar deri në fund të mandatit. Është e vetmja qeveri që do të shkoj deri në fund të mandatit, edhe për shkak të proceseve të mëdha që janë dhe për shkak të profilit të vet Haradinaj në këto procese, edhe për shkak të punës së Haradinaj, edhe për shkak që opozita, pak e kemi lodhë elektoratin duke shkuar në zgjedhje shpesh. E kemi stërngarkuar me zgjedhje të shpeshta. Jam i bindur që kjo qeveri do të shkoj deri në fund”, tha ai.
Sipas tij, Hardinaj që nga marrja e mandatit ka bërë punë të mëdha, por i ka munguar marketingu për ato që ka bërë.
“Është kontrata 1.3 miliard euro për ndërtimin e termocentralit, janë vendime që i ka pru z.Haradinaj për heqjen e taksave për prodhuesit e vendit, janë vendime të cilat asnjëherë deri më sot nuk i kemi parë. Ka shumë vendime tjera që shkojnë përkrah interesave të të bërit biznes, pra, i ka mundësuar një llojë legjislature e përshtatshme në përkrahje të prodhuesve të vendit. Po ashtu, ka bërë një punë të madhe edhe në luftimin e korrupsionit dhe të funksionimit të vet termocentraleve ekzistuese dhe punë të palodhshme në çdo sferë, por marketingu i tij mungon, është natyra e tij e punës. Ai e do punën, kurse, marketingut nuk i kushton shumë rëndësi”, tha ai.
Beson që liberalizimi do të ndodhë gjatë këtij viti.
Ndërsa qëndron prapa deklaratave të tij se nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, ai do të jap dorëheqje.
“Besoj në punën e Haradinajt, besoj që brenda këtij viti do ta kemi liberalizimin e vizave.. Nuk ka kuptim mos me ndodhë, duke e pasur parasysh punën e Haradinajt, nuk ka kuptim mos me ndodhë duke pasur parasysh dhe përcaktimin e Kosovës në të gjitha proceset historike drejtë BE-së…Unë jam i sigurt që do ta kemi, në qoftëse nuk ndodhë, do t’i mbes fjalëve të mija mbrapa”, tha ai.
Ai ka folur dhe për tryezat që po mbahen nga partitë politike dhe për gjetjen e një konsensus nacional për temat e mëdha.
Sipas Kuqit, Haradinaj me këtë e ka sjellë një klimë të tillë, ku partitë të mblidhen dhe diskutojnë për tema të rëndësisë nacionale, gjë e cila deri më tani ka munguar.
“Asnjëherë nuk kemi mund të ulemi në këtë formë. Është për herë të parë që po ulen të gjitha partitë politike ulen në një tryezë dhe bisedojnë se cilat janë temat nacionale, për të cilat duhet me pas konsensus dhe a është e mundur për disa tema ta kemi një konsensus. Po kësaj radhe është një përjashtim, është e veçantë sepse jemi për herë të parë pa faktorin ndërkombëtar. Ulemi pa faktorin ndërkombëtar dhe bisedojmë mes vete. Unë pres, jo ndonjë maksimalizëm, pres që me u kriju një traditë që partitë politike, ulen dhe bisedojnë për tema të tilla”, tha ai.
Ai ka folur edhe për numrin e madh të zëvendësministrave, gjë që e karakterizon qeverinë Haraduinaj. Kuçi thotë se duke e njohur Hardinajn dhe dinamikën e tij të punës, ka nevojë për shumë njerëz që të mund ta përcjellin dinamikën e tij.
“Është i madh apo jo kryeministri e di, por për mua është me rëndësi, a mund ata me i angazhu në punë apo jo. Duke e pasur parasysh dinamiken dhe duke e njohur dhe personalitetin e Haradinajt, ai ka menduar dhe prapë mendon, se ka nevojë për shumë njerëz sepse duhet me përcjellë dinamikën e tij. Në qoftëse ka sukses në këtë punë, atëherë arsyetohet plotësisht çështja e zv ministrave. Në qoftëse ata nuk mund me i angazhu dhe nuk mund me përcjell dinamiken e z. Haradinaj, atëherë numri i tyre është i paarsyetuar. Unë po shpresoj së paku vitin tjetër që ata do t’i kenë rezultatet konkrete të tyre”, tha ai.