Disa ditë pas publikimit të skandalit nga Ministria e Jashtme për shpërdorimin e rreth 50 milion eurove në këtë dikaster nga pushteti i kaluar, heshtje në institucionet e drejtësisë. Organet hetuese nuk kanë ngritur ende asnjë nismë për zbardhjen e rastit i cili siç njoftuan nga Ministria e Jashtme ka ndodhur në kohën kur Antonio Mulloshoski udhëhiqte këtë dikaster. Nga Qeveria presin që me rastin të merren organet kompetente gjyqësore. Ndërkohë vendi vazhdon të harxhojë para në mënyrë të paarsyeshme për përfaqësi diplomatike në shtete të ndryshme në botë, nga të cilat nuk ka absolutisht asnjë lloj përfitimi. Në këtë kuadër kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi mbylljen e disa ambasadave të cilët i cilëson si joefikase ndërsa hapjen e përfaqësive diplomatike në Jordan e Azerbejxhan ku mund të hapim tregje të mëdha për prodhime bujqësore.
Maqedonia vazhdon me intencën për hapje dhe mbyllje të ambasadave, në përputhje me nevojat. Besoj se të paktën në dy-tre vende kemi ambasada nga të cilat nuk kemi dobi, ndërsa kemi ambasada prej të cilave kemi dobi por nuk i kemi hapur. Njëra pjesë është për shkak të depërtimit politik dhe ndikimit që duam ta vendosim dhe pjesa e dytë, mbase më e rëndësishmja, është për ndikim ekonomik. Për momentin bashkë me nënkryetarin e Qeverisë për çështje ekonomike, ministrin e Jashtëm dhe ministrin e Ekonomisë bisedojmë për atashe ekonomike – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.
Ish ambasadori, Gjorgji Filipov vlerëson se është e domosdoshme një strategji e re me të cilën do të evitohen shpenzimet e panevojshme përmes rishpërndarjes efikase të resurseve njerëzore dhe financiare, bazuar në nevojat politike, ekonomike dhe konsullore. E rëndësishme sipas Filipovit, është që rrjeti i përfaqësive diplomatike në mënyrë reale t’i përfaqësojë politikat e brendshme të vendit.
Me të vërtetë mbase ka disa ambasada, ekzistenca e të cilave thjeshtë nuk arsyetohet as politikisht as ekonomikisht dhe do të duhej të shfuqizoheshin. Nuk ka asgjë të keqe këtu. Shumë shtete më të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht e bëjnë këtë. Psh. Austria shfuqizoi 2-3 ambasada derisa isha atje. Norvegjia e shfuqizoi ambasadën në Maqedoni. Kanadaja akoma nuk ka hapur ambasadë. Të gjitha grupohen me qëllim të zvogëlimit të harxhimeve dhe rritjes së efikasitetit – tha Gjorgji Filipov, Ish ambasador.
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov qysh në takimin e parë me gazetarë, në dhjetor të vitit të kaluar kishte paralajmëruar se do të ristrukturonte hartën e përfaqësive diplomatike në botë bazuar në pragmatizëm, interesa politike, ekonomike dhe strategjike. Megjithatë 5 muaj më pas, nga ky dikaster pa përgjigje nëse është bërë analiza e nevojshme, se në cilat shtete do të mbyllen ambasadat ekzistuese dhe nëse do të hapet ndonjë ambasadë e re.