Kryeprokurorja Arta Marku ka vendosur pezullimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi dhe të bashkëshortit të saj Dritan Gina.
Çifti i prokurorëve janë pezulluar, pasi, sipas prokurorisë, janë marrë të pandehur për refuzimin të deklarimit të pasurisë. Sipas kryeprokurores Arta Marku, prokurorja Gashi dhe bashkëshorti i saj do të jenë të pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.
Rovena Gashi ishte prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, ndërsa burri i saj Dritan Gina ka qenë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Pak muaj më parë çifti i prokurorëve u përfshi në akuza ndaj Kryeprokurores, pasi Dritan Gina u shkarkua si drejtues i prokurorisë së Elbasanit ku ishte i komanduar duke u rikthyer në Tiranë, ndërsa gruaja e tij, Gashi u shkarkua nga posti i drejtueses së Njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme duke kaluar prokurore e thjeshtë. Por sot, të dy janë shkarkuar nga detyra, pasi janë marrë të pandehur për mosdeklarim pasurie.
Vendimet e Arta Markut
Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku me vendimin nr.140, dt. 11-05-2018, bazuar në nenet 148/d pika 4, gërma “b” dhe 179 pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; në nenet 151, pika 1, gërma “b” dhe pika 2 gërma “b”; 155 dhe 160, pika 2, gërma “c”, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:
Pezullimin nga detyra të prokurores pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, znj. Rovena Gashi.
Pezullimi i znj.Gashi u vendos pasi Kryeprokurorja u njoh me informacionin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës në lidhje me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të shtetases Rovena Gashi për veprën penale:
“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal.
Prokurorja Gashi do të jetë e pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.
Pezullimi z.Dritan Gina
Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku me vendimin nr.141, dt. 11-05-2018, bazuar në nenet 148/d pika 4, gërma “b” dhe 179 pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; në nenet 151, pika 1, gërma “b” dhe pika 2 gërma “b”; 155 dhe 160, pika 2, gërma “c”, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:
Pezullimin nga detyra të prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, z.Dritan Gina.
Pezullimi i z.Gina u vendos pasi Kryeprokurorja u njoh me informacionin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës në lidhje me ngritjen e akuzës dhe marrjen në cilësinë e të pandehurit të shtetasit Dritan Gina për veprën penale:
“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal.
Prokurori Gina do të jetë i pezulluar deri në përfundim të hetimeve ose gjykimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.