E premte, 28 Tetor 2016 – Sakte.net
Partitë e opozitës Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, nuk është se e kanë mirëpritur propozimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri e cila ka propozuar që në raundin e tretë të bisedimeve me Serbinë, të këtë një gjithëpërfshirje, ashtu siç ishte “Ekipi i Unitetit”, në bisedimet e Vjenës.
Propozim i Tahirit për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën për Kosovën konsiderohet si përgatitje për koncesione me Serbinë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se nuk është më rëndësi se kush përfaqëson në dialog, por formati i të biseduarit.
Ministrja, Edita Tahiri të mërkurën gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme ka thënë se në fazën e tretë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të përmbyllet me njohje reciproke, të ketë një ekip ashtu sikur në bisedimet e Vjenës.
“Për mendimin tim, për fazën e tretë të dialogut që pritet të jetë fazë e përmbyllëse që do të rezultojë me njohjen reciproke mes të dyja shteteve Kosovës dhe Serbisë duhet një ekip që përfshinë prej presidentit të Kosovës dhe gjitha instancat tjera, pra instancat e institucioneve”, kishte thënë Tahiri.
Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ky proces i bisedimeve ka favorizuar vetëm Serbinë, duke e futur brenda Kosovës në njërën anë, e duke e bërë më të pranueshme për Evropën në anën tjetër.
Tinka Kurti nga Vetëvendosje ka thënë për lajmi.net se gjatë gjithë bisedimeve janë bërë lëshime, ashtu siç ka ndodhur edhe në ato të Vjenës.
“Historiku i negociatave tregon qartë se ky lloj dialogu është nisur gabim, në kuptimin që nuk është kushtëzuar asnjëherë Serbia, e më pas në secilin raund, janë bërë lëshime të vazhdueshme. Kështu ndodhi edhe në negociatat e Vjenës, që s’janë në asnjë moment model, sado që znj. Tahiri përpiqet që të na e proklamojë si model, duke synuar që dështimet dhe përgjegjësinë t’i shpërndajë brenda një grupi uniteti gjithëpartiak”, ka thënë Kurti për lajmi.net, duke shtuar se kjo parti nuk do të marr pjesë në bisedime të tilla që nuk e ka kushte për Serbinë.