Një familje e varfër në Podujevë është ndihmuar nga një grup qytetarësh vullnetmirë, pas iniciativës së Fitim Hazirit, i cili është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Podujevës.
“Një ditë prej ditëve Mentor Latifi një shok apo më mirë t’i them një vëlla i imi erdhi dhe më tregoi se një familje në njërin nga fshatrat e Podujevës e kishte një të sëmurë rëndë dhe kishte nevojë për disa barna. Ne u organizuam dhe arritëm që t’ia grumbullonim disa të holla 410 euro, por nuk dinim se si t’ia gjenim shtëpinë. Me të mbërritur në atë fshat, disa banorë na ndihmuan ta gjenim shtëpinë. Aty na u sqarua gjithçka. Ishte një familje që përbëhej nga 4 anëtarë, të cilët jetonin në një shtëpi të vjetër dhe i kishte dy dhoma dhe një banjo, ku me vonë me ndihmën e të afërmve ia kishin shtuar edhe një dhomë, një korridor dhe pullazin”, rrëfen Haziri.
Si tregon se dhomat ishin të pagëlqerosura, përveç njërës dhe gjysmës së kuzhinës. Kjo familje mbijetonte nga bagëtitë që i kishte pasur, por i kishte shitur për shërimin e zonjës së shtëpisë. I zoti i shtëpisë kishte qenë i punësuar dhe merrte një rrogë 150€ në muaj, por ishte detyruar ta ndërpriste punën që të kujdeset për të shoqen. Mjerimi, varfëria dhe pikëllimi i thellë sundonin në këtë familje.