Këmbimi i territoreve Kosovë-Serbi: Si lindi ideja dhe çfarë do të sillte realizimi i saj

Në kohën kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian po hyn në etapën e fundit, të gjitha palët presin që ky proces të përfundojë me zgjidhje konkrete dhe rezultate për të dy vendet. Brukseli pret që bisedimet të kulmojnë me nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, por ka të tillë që mendojnë se bisedimet mund të përfundojnë me një marrëveshje krejt tjetër – këmbimin e pjesëve të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Metro.

Për shumëkë, ky propozim është i mundshëm dhe shihet si zgjidhje e mirë për t’i dhënë fund konfliktit shumëvjeçar mes serbëve e shqiptarëve. Në rast që arrihet një marrëveshje e tillë, zgjidhje e qëndrueshme shihet këmbimi i vetëm atyre territoreve që janë pjesë e komunave kufitare.

Ideja për këmbimin e territoreve buron nga një letër që anëtari i Kongresit amerikan, Dana Rohrbacher, ia kishte dërguar Tomislav Nikolicit, atëkohë President i Serbisë, më datën 31 janar 2017, pak ditë pas inaugurimit të Donald Trump si President i SHBA’së.

Dana Rohrbacher

Në këtë letër, kongresisti republikan udhëzonte liderin serb që të konsideronte mundësinë që të bëhej një ‘ndryshim i vijës kufitare’ që do të rezultonte me ‘më shumë serbë në Serbi e më më shumë shqiptarë në Kosovë’.

LETRA E KONGRESMENIT AMERIKAN DREJTUAR PRESIDENTIT SERB

Porosia në letër u kritikua ashpër, por ideja mbeti.

Përkundër propozimit të kongresistit amerikan, Ambasada e SHBA’ve në Prishtinë ishte shprehur kundër kësaj ideje. Këtë ide e kishte mbështetur edhe ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Sir Ivor Roberts, i cili tha në muajin shkurt që këmbimi i territoreve është mënyra e vetme që dy shtetet të arrijnë paqe afatgjate.

Së fundi, në një studim të publikuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur të titulluar ‘Efektet demografike dhe sociale të skenarëve të normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës’ janë shqyrtuar mundësitë e këmbimit të territoreve të Luginës së Preshevës me katër komunat në veri të Kosovës.

Megjithatë, vlerësohet se nga territoret e Serbisë vetëm komuna e Preshevës do të mund të përfshihej në një marrëveshje këmbimi për shkak të strukturës demografike me 91 përqind të popullsisë shqiptare. Studimi vlerëson që nëse komunat me përqindje të balancuar etnike – siç është Bujanoci me 53 përqind shqiptarë – përfshihen në këmbim, ato do të ishin vatra të problemeve ndëretnike dhe nuk do të sillnin zgjidhje afatgjate.

Ideja për këmbimin e territoreve është vlerësuar si e mundshme edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e konfirmon gazetarja e revistës prestigjioze amerikane Newsweek, Cristina Maza, e cila në një publikim në rrjetet sociale kishte thënë që administrata e Presidentit Donald Trump e konsideron këtë ide si opsion të mundshëm dhe që mund të bëhet pjesë e diskutimeve të nivelit të lartë në të ardhmen.

“Burimet e mia thonë që administrata e Trumpit e konsideron këmbimin e territorit ide të mundshme që mund të diskutohet në të ardhmen”, ka shkruar Maza.

Për qëndrimin amerikan në raport me këtë ide, Gazeta Metro ka biseduar me Robert Austin, profesor në Universitetin e Torontos në Kanada dhe hulumtues në ‘Qendrën për Studime Europiane, Aziatike dhe Ruse’ në kuadër të këtij universiteti.

Robert Austin

Austin, që është gjithashtu i njoftuar me zhvillimet në Ballkan, e vlerëson idenë për këmbimin e territoreve si jashtëzakonisht të keqe, sidomos për Kosovën. Sipas tij, jo të gjitha problemet ndërtenike në Ballkan e kanë burimin te territori.

“Mendoj që secila ide për këmbimin e territoreve është jashtëzakonisht e keqe, për shkak se është në kundërshtim me çdo marrëveshje të paqes që është nënshkruar në Ballkan. Edhe në aspektin ndërkombëtar, Perëndimi në veçanti gjithnjë e ka mbajtur qëndrimin që konfliktet etnike nuk mund të tejkalohen me zgjidhje përmes territorit. Dhe mendoj që kjo do të ishte në veçanti e keqe për Kosovën”, ka thënë Austin për Gazetën Metro në një bisedë përmes Skype. Megjithatë, Austin nuk beson që ky propozim do të jetë në agjendën e qeverisë së Trumpit për Ballkanin.

Në anën tjetër, nga Berlini thonë që Qeveria e Kancelares Angela Merkel është kundër një propozimi të tillë.

Milan Nic, nga Fondacioni Robert Bosch me bazë në Berlin, përmes e-mailit tha për Gazetën Metro që gjatë takimeve që pati Presidenti serb Aleksandar Vucic me Kancelaren Merkel në Berlin në prill, Vucic donte të dinte mendimin dhe qëndrimin e Gjermanisë lidhur me idenë e këmbimit të territoreve me Kosovën. Edhe pse administrata e Trumpit e sheh me sy pozitiv këtë ide, Merkel shprehu qëndrimin e prerë kundër.

Milan Nic, në të djathtë

Tutje, Nic – ekspert i marrëdhënieve gjeopolitike – nuk e përjashtoi mundësinë që kjo ide të diskutohej në takimin mes Merkelit dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që u mbajt në Berlin më 9 maj.

Megjithatë, pas kthimit nga vizita në Berlin, Thaçi e hodhi poshtë idenë për territoret dhe tha që ajo është hedhur në publik vetëm sa për ta matur pulsin e njerëzve dhe disponimin e tyre në raport me të. Edhe Kryeministri Haradinaj është shprehur kundër kësaj ideje.

Në anën tjetër, homologu i Thaçit në Serbi, Aleksandar Vucic, në disa deklarata për media e ka konsideruar këtë ide si ‘tentim për të gjetur zgjidhje të tjera’, por nuk e ka shprehur qartë qëndrimin e shtetit të tij.

Nga shoqëria civile në Serbi thonë që kjo ide shihet si pozitive nga shumë njerëz, por që gjithashtu realizimi i saj do të sillte ‘efekt domino’ në pjesë të tjera të Ballkanit.

Marko Savkovic, njohës i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nga shoqëria civile në Beograd, thotë që të dy qeveritë – e Serbisë dhe e Kosovës – kanë shtyrë njerëzit e tyre të lidhur me qeveritë e vendeve perëndimore nga fusha e diplomacisë e shoqërisë civile, që të lobojnë për ta lidhur me këmbimin e territoreve.

Marko Savkovic

“Deri më tani ka pasur shumë zëra që edhe Kryeministri i Shqipërisë [Edi Rama] është i përfshirë në tentimet për të zgjidhur njëherë e mirë konfliktin mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Savkovic, bashkëpunëtor i Qendrës për Politika të Sigurisë në Beograd për Gazetën Metro përmes postës elektronike.

Ai shtoi që incidenti që ndodhi me zyrtarin serb, Marko Djuric, në Mitrovicë, i kishte shtyrë përkohësisht bisedimet mes dy vendeve.

Në përgjithësi, këmbimi i territoreve shihet si ide pozitive nga shumë eksponentë të të dy vendeve në fjalë si dhe kryeqendrave perëndimore. Por, realizimi i saj duket praktikisht i pamundur dhe nga ata që e kundërshtojnë shihet si zgjidhje miope e që do të mund të sillte konflikte të reja e situata të ngjashme edhe në vendet tjera të rajonit.

Gazeta prestigjioze The Economist e ka përshkruar idenë si të rrezikshme dhe që do të kishte efekt zinxhiror jo vetëm në Ballkan, por edhe në vendet e Bashkimit Europian.

“Nacionalistët hungarezë nuk e kanë harruar ende humbjen e Transilvanisë në Rumani, ndërsa vetë nacionalistët rumunë do të kërkonin rivijëzim të kufijve për të përfshirë në Rumaninë e madhe edhe Moldavinë. Ky është Ballkani dhe “ballkanizimi! Në ditët e sotme, politika e duhur duhet të jetë zhdukja e kufijve, sesa rishikimi i tyre”, mbyllej artikulli i gazetës britanike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme