Populli thotë, “paratë e huaja lehtë harxhohen”. Por kur llogarinë e paguan shteti, për çmimin nuk pyetet. Me paratë e popullit, kanë ngrënë dhe kanë pirë funksionarët, ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdulaqim Ademi dhe zëvendësi i tij, Spiro Ristovski. Kështu shkruan sot NOVATV e cila ka ardhur deri te të dhënat për udhëtime zyrtare, por edhe drekave dhe darkave të cilat, të përmendurit i kanë ngrënë nëpër restorante luksoze, njofton Portalb
Sipas dokumenteve, Ademi dhe Ristovski, kanë jetuar në shpinë të shtetit. Kanë ngrënë në restorantet më të mira, me ushqime më kualitative, ndërkaq kanë fjetur nëpër hotele me minimum 4, 5 yje. Pjesa më e madhe e të dhënave është për ish ministrin Ademi. Nëse mblidhen të gjitha llogaritë, Ademi nga 1 janari deri në fund të muajit maj, nga llogaria e tij zyrtare ka harxhuar hiç më pak se 20.000 euro.
Të gjitha këto para janë harxhuar në restorantet elite si “Vodenica”, “La Teraca”, Restoranti “Momir” në Ohër, “Mikei” në Kamnik. Shumat janë të ndryshme, duke filluar që nga ato llogaritë më të thjeshta prej 1.000 denarëve e deri te ato me40.000 denarë. Për biftek viçi Ademi ka paguar 5.200 denarë, por ajo i ka ardhur pak dhe ka porositur edhe mish viçi të pjekur prej 1.820 denarë. Në Restorantin “Momir” në Ohër, llogaria e darkës ka arritur 19.300 denarë. Disa llogari, si ajo e Ristoskin në “Skara Bar”, kanë arritur deri në 39.000 denarë për një darkë, të paguara nga kartela e buxhetit zyrtar, transmeton Portalb.
Si duket një darkë e Ademit në Restorantin “Vodenica”?
-
Kaçkavall italian – 1 copë 250 denarë
-
Pinxhur dhe ajvar – 260 denarë
-
Dy sallata rukolla – 540 denarë
-
Biftek Talata – 1300 denarë
-
Biftek në skarë – 1300 denarë
-
Orade në skarë – 750 denarë
-
3 shporta bukë – 450 denarë
-
Krem karamel, kungull të nxehtë dhe të ftohtë – 740 denarë
Kjo darkë ka qenë për dy deri në 3 persona dhe ka kushtuar 8190 denarë.
Gjatë vitit të kaluar, zëvendësi i tij, nga janari deri në maj, në shpinë të qytetarëve ka harxhuar 7.500 euro për, prej të cilëve pjesën më të madhe e ka harxhuar në Restorantin “Skara Bar” në Taftalixhe. Ai më shumë ka ngrënë edhe në “Fitnes Haus”, restorant i njohur për ushqim të shëndetshëm, por ai ka ditur t ë ulet edhe në “Dezhavu” ose në “Ekvistrijan” të Aerodromit.
Kur bëhet fjalë për udhëtimet, thuajse në të gjitha ato që i ka realizuar, ministri Ademi ka qenë i shoqëruar me Adriana Kamilin, e punësuar në kabinetin e tij. Në shkurt të këtij viti, delegacion i udhëhequr nga Ademi ka qenë në udhëtim zyrtar në Slloveni. Nga llogaritë fiskale të restorantit mund të shihet se nuk kanë kursyer kur kanë porositur në llogari të shtetit. Përskaj darkave të shtrenjta, me mish viçi, verë e torta “Nutela”, 5 personat të cilët kanë qenë në Slloveni, e kanë vizituar edhe një shpellë për të cilën për hyrje kanë paguar 134 euro, plus dhe 300 euro për përkthyes nga gjuha sllovene.
Kur ka udhëtuar Ademi, çdoherë ka fjetur në hotelet më të shtrenjta. Ai dhe bashkëpunëtorja e tij e kabinetit, gjatë vitit të kaluar në Turqi kanë qëndruar në Hotel me 5 yje dhe kanë dhënë thuajse 2.000 euro vetëm për tre ditë. Edhe në Split kanë qëndruar në hotel me 5 yje, në të cilin janë harxhuar 1.982 euro në llogari të shteti, por edhe 358 euro shtesë janë harxhuar për harxhime tjera më të vogla, përcjellë Portalb.
Deri më tani, prokurori shtetëror heshtë. Pritet të shohim se a do të ketë bazë për ndjekje penale për harxhim jo-efikas të parave të shtetit nga Ministria e Arsimit. “Dituria është forcë, dituria është fuqi”. Këtë fushatë Ministria e Arsimit e ka bërë me qëllim që t’i nxisë të rinjtë e Maqedonisë që të mësojnë, për të qenë të suksesshëm në Maqedoni. Por, tani për tani, në Maqedoni ende jeton maksima klientaliste “Deri në fuqi dhe para të ëmbla arrihet nëpërmjet karriges shtetërore”.
Më poshtë mund t’i shihni të gjitha dokumentet e llogarive fiskale të restoranteve, të cilat janë paguara nga Ademi dhe Ristevski me kartelën zyrtare.
.