Një tjetër rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës i përbërë nga shqiptarët, është shkatërruar nga autoritetet spanjolle.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat vendase, sipas të cilave 4 shqiptarë janë vënë në prangat e policisë të kapur në flagrancë me rreth 86 kg kokainë të fshehur në dy valixhe brenda një automjeti.
Shqiptarët janë ndaluar në Malaga, teksa po udhëtonin të ndarë në dy automjete, ku njëra makinë kontrollonte rrugën përpara, ndërsa tjetra me lëndën narkotike e ndiqte nga pas.
Por gjatë kontrollit të ushtruar nga autoritetet spanjolle, u ndaluan në një makinë një çift shqiptarësh, respektivisht 24 dhe 25 vjeç. Çifti i shqiptarëve mësohet se ishte në makinën që po kontrollonte rrugën për prani të policisë, kur janë ndaluar për kontroll rutinë.
Në këtë moment ata janë munduar të kontaktojnë me telefon me automjetin tjetër, çka ka ngjallur dyshimin e policisë.
Por, sipas mediave spanjolle, me t’u shfaqur automjeti i radhës, është ndaluar nga policia, nga ku janë ndaluar dy shqiptarët e tjerë respektivisht 27 dhe 38 vjeç.
Brenda në automjetin e tyre, u gjetën , dy valixhe në këmbët e sediljes së pasme, nga ku secila përmbante kokainë, pesha totale e së cilës rezultoi të ishte 86.20 kg.
Po ashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 5,900 euro cash.
Kujtojmë se një muaj më parë u zbuluan dhe arrestuan në Spanjë dy shqiptarë me më shumë se 1 ton kokainë që vinte nga Kolumbia.