Komisioni Evropian pritet që në fund të këtij muaji të dal me raport për liberalizimin e vizave. Se bashku me këtë raport, pritet të bëhet e ditur edhe koha e përafërt se kur kosovarët do të lëvizin pa viza lirshëm në zonën Shengen.
Për këtë, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli për Indeksonline është shprehur i bindur se ky raport do të jetë pozitiv.
“Deri në fund të muajit, kemi raportin që do të jetë pozitiv”, është shprehur Pacolli.
Ndërsa, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, për Indeksonline ka thënë se rekomandimi nga ky raport do të jetë pozitiv pasi janë plotësuar kushtet.
“Mendoj se rekomandimi do të jetë pozitiv sepse tashmë janë plotësuar kushtet e parapara , ndonëse lufta kundër korrupsionit do të jetë e vazhduar”, ka thënë Hoti.
Sa i përket vizitave të një delegacioni të Kuvendit të Kosovës në vendet anëtare të BE-së për të kërkuar heqje të vizave, Hoti e sheh si ide të qëlluar.
“Lobimi parlamentar është ide e qëlluar për faktin se ligjvënësit tanë duhet të njoftojnë e lobojnë sa më shumë tek homologë të vendeve të ndryshme për detyrat e kryera. S’ka dilemë se jemi para momentit vendimtar për vizat dhe në ketë drejtim duhet të ndërmerren veprime të koordinuara institucionale”, ka përfunduar Hoti.
Në anën tjetër, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Soltes në një takim me Ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha është shprehur se Kosova nuk duhet ta lejojë që korrupsioni të pengojë përparimin e procesit integrues, duke vënë në dukje se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është padyshim prioritet për BE dhe sidomos kur është fjala për luftimin e korrupsionit në nivel të lartë, Kosova duhet të vazhdojë të tregoj rezultate.
Ndryshe, këtë të enjte (me 7 qershor) një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e partive politike, pozitë dhe opozitë, do të fillojnë një turne lobimi në qendrat evropiane, për të kërkuar mbështetjen për liberalizim, e po ashtu për të garantuar se qytetarët tanë do t’i respektojnë plotësisht procedurat që parasheh programi i lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.