Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar vendimin e Kadri Veselit që me disa deputetë të niset drejt Evropës për të lobuar për vizat.
Hoti në një postim në Facebook, ka shkruar se ky turne është bërë pa asnjë agjendë takimesh dhe është shpenzim i panevojshëm i parasë publike. Sipas tij, ky udhëtim i dërgon mesazhe të paqarta Bashkimit Evropian.
“Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla”, ka shkruar Hoti.
Shefi i deputetëve të LDK-së, ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të institutit që drejton për të aprovuar ligjet që lidhen me MSA-në.
“Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane”, ka shkruar ai.
“Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës. Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare”, ka shtuar ai.
“Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së”.