Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”.
Thaçi është shprehur i nderuar që ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të kësaj konference, 140 vjet pas Lidhjes Shqiptare e Prizrenit, të organizuar nga dy akademitë e shkencave, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.
“Është koha që shkencëtarët ta studiojnë dhe vlerësojnë jo vetëm rilindjen tonë kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, por të gjitha periudhat e historisë shqiptare me objektivitet shkencor të dijes bashkëkohore. Historia, e vërteta është një, e pakorrigjueshme, ndërsa historiografia duhet të shkruhet në përputhje me të vërtetën dhe të korrigjohet nga ndikimi ideologjik, censura dhe format e tjera”, tha ai
Kreu i shtetit ka thënë se dy akademitë tona, 140 vjet pas Lidhjes së Prizrenit, mund të veprojnë në kushte shumë më të volitshme se në të gjitha kohët deri më tash, sepse më nuk ka as diktaturë, as robëri.
“Lidhja e Prizrenit ishte veprim dhe rezultat i situatës së re gjeopolitike që solli kriza lindore. Me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani, shumica e trojeve shqiptare, edhe ashtu të ndara në disa vilajete, u jepeshin shteteve fqinje. Ndërsa, në Kongresin e Berlinit, ku Fuqitë e Mëdha vendosnin pa e përfillur vullnetin e popullit shqiptar, ishte thelluar padrejtësia historike, me marrjen e vendimeve për implementimin e këtij copëtimi. Kështu, shqiptarët kërcënoheshin nga tri rreziqe: shpërbërja territoriale, asimilimi dhe zhdukja fizike”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se në këtë situatë të re, shqiptarët nuk ndenjën duarkryq.
Ai theksoi se më 10 qershor 1878, përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare në Prizren krijuan organizatën me karakter politik, ushtarak dhe ekzekutiv, që do t’i kundërvihej synimit të copëtimit të tokave shqiptare me të gjitha mjetet.
“Lidhja e Prizrenit është organizata më e rëndësishme politike dhe ushtarake e popullit shqiptar, e krijuar katër shekuj pas qëndresës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kryengritjet e shumta, memorandumet drejtuar kancelarive të Fuqive të Mëdha, protestat dhe forma tjera të qëndresës e karakterizuan periudhën e Lidhjes së Prizrenit”, ka thënë Thaçi
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, sipas presidentit Thaçi, në rrafshin e brendshëm është produkt i lëvizjes kulturore, i Rilindjes Kombëtare.