Komisioneri për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe për Negociata për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar nga BE-ja që të japë dritën e gjelbër për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë dhe Shqipërinë këtë javë.
Ai madje ka potencuar rëndësinë e “dhënies së një sinjali pozitiv” për të tërë Ballkanin Perëndimor.
Këtë kërkesë, Hahn e bëri sot mes ndasive mes 28 shteteve anëtare të bllokut në lidhje me atë se a duhet t’u lejohet nisja e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë e Maqedonisë.
Dy vendet në fjalë shpresojnë që ministrat e Jashtëm të BE-së do të pajtohen për dhënien e dritës së gjelbër gjatë një takimi në Luksemburg më 26 qershor, që do t’i hapte rrugën aprovimit nga liderët e BE-së në një samit më 28-29 qershor.
Por zyrtarët e BE-së janë cituar të kenë thënë se Franca dhe Holanda ka gjasa që të kërkojnë kushte tjera, siç janë reformat e mëtejme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri dhe Maqedoni.
“Mendoj se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm – dhe shpresoj se kështu do të jenë – se sa e rëndësishme është të jepet një sinjal pozitiv për rajonin”, ka thënë Hahan në konferencën ndërqeveritare BE-Mali i Zi në Luksemburg, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ai tha se Maqedonia duhet të “shpërblehet” për nënshkrimin e marrëveshjes me Greqinë këtë muaj për të ndryshuar emrin e saj në “Republika e Maqedonisë Veriore”, duke i dhënë fund kështu mosmarrëveshjes 27 vjeçare mes Shkupit e Athinës.
“Mendoj se nëse kjo nuk shpërblehet në mënyrë kuptimplotë, do të ketë ndikim të menjëhershëm dhe të madh për stabilitetin e rajonit”, tha Hahn.
“Kemi arritur shumë dhe nëse i shikoni arritjet madje edhe në muajt e fundit në rajon… e tërë kjo është rezultat i perspektivës evropiane”, tha zyrtari i BE-së, duke shtuar: “Nëse kjo nuk shihet, nuk kuptohet dhe nuk reagohet ndaj kësaj në mënyrë adekuate, nuk do ta kuptoja këtë”.
Përveç Shqipërisë e Maqedonisë, katër vende tjera ballkanike janë jashtë BE-së – Kosova, Mali i Zi, Bosnja e Serbia.