Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq i deklaroi gazetës së Beogradit “V. Novosti” se nuk ka një afat për arritjen e marrëveshjes me kompromis me shqiptarët e Kosovës, e as për nënshkrimin e marrëveshjes juridikisht të detyrueshme.
Ajo po ashtu ka thënë se nuk e di nëse kjo është faza finale e negociatave midis Beogradit e Prishtinës, por ka shtuar se “punë e politikës së përgjegjshme është të gjejë kompromis që të gjitha gjeneratave që vijnë u garanton siguri e stabilitet”.
“Nuk duam më luftë” është shprehur ajo.
Pasi ka thënë se dialogu midis Beogradit e Prishtinës po zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së, kurse qëllim strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE, Bërnabiq ka shtuar se “nuk shoh arsye pse duhet dikush tjetër të përfshihet në të”.
“Por, nëse përfshihet SHBA, gjë që po kërkon Prishtina, atëherë gjithsesi në tryezë duhet të jenë edhe ato fuqi të mëdha që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që mbrojnë të drejtën dhe drejtësinë ndërkombëtare, siç janë Rusia ose Kina”
E pyetur nëse mund ta marrë me mend situatën në të cilën populli hedh poshtë marrëveshjen juridikisht të detyrueshme me Prishtinën, Bërnabiq tha se kjo mund të ndodhë në çdo kohë, por mendon se populli duhet të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e vet dhe për të ardhmen e fëmijëve të vet./koha.net/