Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka folur në Zona B në Klan Kosova për fazën e fundit të dialogut me Serbinë.
Ai ka thënë se jo veç për Kosovën, por edhe për Serbinë është shumë e rëndësishme njohja e Kosovës.
“Besoj se nuk ka gjë më të rëndësishme për Serinë sesa njohja e Kosovës. Atje duhet të ngritet vetëdija e perspektivës së vendit të tyre”, ka deklaruar Limaj.
“Nuk besoj se Serbia është e gatshme të sakrifikojë qindra interesa për një njohje të Kosovës. Ndryshe, po nuk pati njohje për çfarë po bisedojmë, nëse nuk ka njohje nuk po mbyllet asgjë – dialogu është kot”.
Limaj ka shtuar se çështja mes Kosovës e Serbisë është jetike të mbyllet një herë e mirë, edhe për shkak të rrethanave në të cilat funksionojmë në Ballkan e më gjerë.
“Pa i mbyllur temat e hapura e kemi problem me zhvillimin e vendeve në Ballkan. Çështja jonë mes Kosovës e Serbisë duhet të përmbyllet dhe është interes i dy palëve”.
“Janë tri pika të cilat pala kosovare duhet t’i ketë të qarta; e para, afatizimi, e dyta është se procesi duhet të çojë në njohje të Kosovës dhe e treta anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare”.
“S’mund të shkojmë kështu pafundësisht dhe pa rezultate”.
“Duhet agjendë e qartë dhe afatizim dhe fundi duhet të jetë njohje reciproke”.