Serbia do t’i kërkojë Malit të Zi ekstradimin e të dyshuarit për krime lufte në Kosovë

Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha për BIRN sot se do t’i kërkojë Malit të Zi fqinj të ekstradonte Predrag Vukoviqin, një veteran i Ushtrisë Jugosllave i akuzuar për përfshirje në masakrën ndaj 46 civilëve shqiptarë etnikë në Kosovë në vitin 1999.
Në arrati që nga viti 2014, Vukoviq, i njohur ndryshe si Madzo, u arrestua në qytetin port të Barit në Mal të Zi më 20 korrik për peshkim të paligjshëm. Ai dha emër të rremë, por kontrollet e sigurisë përcaktuan identitetin e tij të vërtetë.

“Ministria e Drejtësisë do të paraqesë një kërkesë për ekstradim brenda afateve të përcaktuara nga Marrëveshja e Ekstradimit midis Serbisë dhe Malit të Zi”, tha ministria për BIRN.

Marrëveshja thotë se një person i kërkuar mund të lirohet nga paraburgimi nëse kërkesa për ekstradim nuk paraqitet brenda 18 ditëve nga arrestimi.

Vukoviq akuzohet për përfshirje në një sulm në fshatin Lubeniq në Kosovën perëndimore më 1 prill 1999, pak ditë pas fillimit të fushatës 11 javore bombarduese nga NATO-ja për t’i dhënë fund një ofensive ushtarake nga forcat e drejtuara nga ish-presidenti Sllobodan Millosheviq.

Dyzetë e gjashtë persona vdiqën gjatë sulmit dhe u plagosën 11 të tjerë. Trupat e 34 prej viktimave nga Lubeniqi u gjetën më vonë në një varr masiv në Batajnica, pranë kryeqytetit serb, Beograd. Katër viktima janë ende të listuar si të zhdukur.

Në vitin 2014 zyra e krimeve të luftës e Serbisë paditi tre veteranë të Ushtrisë Jugosllave – Vladan Krstoviq, Lazar Pavloviq dhe Milan Ivanoviq – për masakrën dhe nxori urdhër arrestime kundër Vukoviqit dhe Nenad Lekiqit.

Rasti i Lubeniqit është në proces para Gjykatës së Lartë të Beogradit dhe është një nga rastet më të mëdha dhe më të gjata të krimeve të luftës në lidhje me Kosovën që po procedohet nga autoritetet serbe.

Në total, 11 ish-anëtarë të njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave dyshohet se kanë kryer krime lufte në fshatrat e Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq në pranverën e vitit 1999.

Grupi u dënua fillimisht në vitin 2014 me një total prej 106 vitesh burg për vrasjen e të paktën 118 civilëve shqiptarë të Kosovës.

Gjykata e apelit e ktheu vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

Një dokumentar i BIRN, “Të Paidentifikuarit”, zbuloi shkallën e krimeve të kryera në katër fshatrat e Kosovës në vitin 1999, duke zbuluar gjithashtu strukturën komanduese të njësive të policisë dhe ushtrisë të përfshira në krime.

Human Rights Watch fillimisht dokumentoi krimet në vitin 1999 dhe identifikoi disa nga autorët e drejtpërdrejtë që u akuzuan në Serbi në vitin 2011.

Vukoviq kërkohet gjithashtu për vepra të tjera kriminale, përfshirë grabitje dhe posedim droge.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme