Sot i është dhënë lamtumira e fundit Hatixha Mehmedoviqit, udhëheqëses së Grupit të grave i njohur si “Nënat e Srebrenicës”, e cila për 20 vite kërkoi drejtësi për viktimat e masakrës së Srebrenicës e kryer në vitin 1995.
Mehmedoviq u varros pranë Srebrenicës, në lindje të Bosnjës, e përcjell nga qindra njerëz.
Bashkëshorti i Mehmedoviqit, dy djemtë dhe vëllezërit e saj dhe të afërmit tjerë të saj janë në mesin e rreth 8000 burrave dhe djemve myslimanë që janë vrarë nga forcat serbe në Srebrenicë, të udhëhequra nga gjenerali, Ratko Mlladiq.
Vitin e kaluar, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte e ka dënuar Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë ato në Srebrenicë.
Mehmedoviq pati reaguar ndaj Viçiqit kur ai një herë deklaroi se do të vazhdojë të ndihmojë Srebrenicën.
“Jo, nuk janë paratë e tij. Ky është borxhi ndaj Srebrenicës për tokën e shembur. Askush të mos japë nga xhepi i tij. Nuk jemi ne të gjorë, nuk kemi nevojë për sadaka. Le ta kthen borxhin për tokën e shembur të Srebrenicës. Nuk është kjo ndihmë, siç pretendojnë ta quajnë. Ky është nënçmim edhe për të gjallët edhe për ata që u vranë në mënyrën më mizore”, tha Mehmedoviq.
Ajo po ashtu gjatë vizitës së Vuçiqit në Srebrenicë, ia pat vendosur lulen e Srebrenicës, për t’ia kujtuar atij krimet e kryera nga forcat serbe.