Të shtunën ka qenë afati i fundit për përgatitjen e draftstatutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, megjithatë ky dokument nuk i është dërguar ende Bashkimit Evropian (BE).Ndërsa pasi t’i dërgohet BE-së do të diskutohet në takimin e radhës ndërmjet presidentit kosovar Hashim Thaçit dhe atij serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, ka thënë për “Zërin” se çështja e statutit të Asociacionit do të shqyrtohet në Bruksel menjëherë pasi ekipi menaxhues ta informojë zyrtarisht BE-në për rezultatet.
Kurse zyrtarë të ekzekutivit kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se ekipi menaxhues nuk i ka dërguar kurrfarë dokumenti të draftit Qeverisë së Republikës së Kosovës.Ndërsa deputetët e partive opozitare vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk është dashur fare ta lërë në duart e ekipit aktual çështjen e statutit të Asociacionit. E po që se paralajmërimi i ekipit menaxhues se AKS-ja do të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit (kundër Kushtetutës) realizohet, sipas opozitarëve një gjë e tillë paraqet rrezik të lartë për Kosovën.