Dërgimi i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Bruksel na ana e ekipit menaxhues pa kaluar paraprakisht në “duart” e Qeverisë së Kosovës do ta komplikojë edhe më shumë çështjen e formimit të këtij Asociacioni.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila ka thënë se nëse Qeveria vazhdon të jetë e pakujdesshme në këtë proces dëmet do të jenë të paparashikueshme për shtetin e Kosovës.
Dërgimi i draftstatutit të Asociacionit direkt në Bruksel pa kaluar fare në Qeverinë e Kosovës pritet ta komplikojë situatën edhe më tej. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se serbët nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre për ta formuar AKS-në sipas Marrëveshjes së Brukselit, rrjedhimisht kundër Kushtetutës së Kosovës. Edhe ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë – Serbi Edita Tahiri ka vlerësuar se situata tashmë është komplikuar.
Në një bisedë për “Zërin” Tahiri ka thënë se Qeveria aktuale ka dështuar në qasjen ndaj zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin me vetë faktin që ka lejuar vetëm përfaqësuesit e komunitetit serb ta bëjnë draftin e statutit.
Në anën tjetër, përderisa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është zotuar se draftstatuti do të rregullohet sipas Kushtetutës, përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Bruksel pa kaluar në institucionet e Kosovës vetëm e thellon problemin e debatit dhe të çështjes së bisedimeve në Bruksel.