Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar ndaj një vendimi të Parlamentit të Republikës Serbska për amendimin e rezolutës së OKB që fakton krimet e serbëve në Bosnje.
Në një reagim të ashpër, zëdhënësja e DASH, Heather Nauert, deklaroi se një vendim i tillë shkon kundër qëndrimit të gjykatave ndërkombëtare, si dhe fakteve të njohura në publik. “Nuk është në interesin e Republikës Serpska që të përmbysë faktet dhe kriminelët e luftës t’i paraqesë si heronj”,- thuhet ndër të tjera në reagimin e DASH.
Në reagimin e DASH thuhet se qëndrimi i serbëve po ecën në drejtimin e gabuar dhe se SHBA inkurajon autoritet e Bosnjës dhe Hercegovinës që të vijojnë hetimet për krimet e luftës në Ish-Jugosllavi.
Dje, në rajonin e pavarur serb të Bosnjës, deputetët serbë kërkuan nga qeveria të revokojë një raport të vitit 2004, i cili thotë se “forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8,000 muslimanë në dhe përreth Srebrenicës, gjatë luftës së 1992-95 në vend”.
Votimi u iniciua nga Presidenti nacionalist i Republikës Serbe, Milorad Dodik. Dodik, njihet për mbështetjen që ka nga Beogradi dhe nga qarqet ruse. Pas ideve për ndarjen e Kosovës, Dodik ishte i pari që përshëndeti një zhivllim të tillë në rajon, duke thënë se pas shkëmbimit të territoreve edhe Republikës Serbska i lind e drejta të mendojë bashkimin me Serbinë.