Një nga vendet më nacionaliste në Ballkan, Kroacia, kur i kishte hyrë larjes së hesapeve me Serbinë në vitet ’90-të për t’u bërë vend i pavarur, kishte vetëm një forcë modeste përballë armëve të serbëve që u kishin mbetur në shumicë nga ushtria e përbashkët jugosllave. Po ashtu, në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullatës, një numër jo aq i madh kishte rrokur armët. Por, për këtë kroatët e rëndomtë nuk e kanë vuajtur ndonjë pasojë që nuk janë përfshirë në luftime e as nuk kanë paguar taksë siç po kërkohet nga disa veteranë në Kosovë.
Një zyrtar i AAK-së, Valon Tolaj, i pakënaqur që nga ish-drejtues të UÇK-së si Sylejman Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerë, po zbulohet fryrja e numrit të veteranëve, ka kërkuar që mbi 500 mijë personave të aftë për luftë gjatë fundit të viteve ’90-të kundër Serbisë e që nuk i janë bashkuar asaj të paguajnë taksë ndëshkimi. Në rrjetet sociale kanë shpërthyer kritika të shumta sidomos pas krahasimeve që janë bërë se “dënime” të tilla janë aplikuar edhe ndaj kroatëve që nuk kanë marrë pjesë në luftën e tyre kundër forcave serbe.
Zeljko Peratovic, gazetar i njohur nga Kroacia, ka shpjeguar përvojën kroate të luftës. Fillimisht ai ka thënë se abuzimet me veteranë kanë ndodhur edhe në Kroaci.
“Nuk dihet numri i saktë i kroatëve që kanë marrë pjesë në luftë. Një regjistër i veteranëve ka qenë publik, nëpërmjet tij ka mundur të verifikohet a ka marrë pjesë dikush në luftë apo ka falsifikuar dokumentet. Por më vonë atë regjistër e kanë hequr që të mos jetë publik”, ka thënë Peratovic për Express.
Por, ai ka theksuar se numri i veteranëve ka shkuar në mbi 500 mijë.
“Na mbytën. Tash numri i tyre është rritur në mbi gjysmë milioni”, ka thënë Peratovic.
Por, i pyetur rreth ndëshkimeve të përfolura në Kosovë që kinse kanë aplikuar kroatët ndaj atyre që s’kanë luftuar, Peratovic ka thënë se kjo s’ka ndodhur në vendin e tij.
“Jo s’ka paguar askush asgjë. Është çështje tjetër ata që kanë jetuar jashtë vendit që kanë dërguar ndihma humanitare apo kanë dhënë para për armatim. Por për këtë askush nuk i ka detyruar”, ka thënë Peratovic.
“Nuk kanë marrë pjesë në luftë të gjithë që kanë jetuar në Kroaci e në asnjë mënyrë nuk kanë qenë të obliguar të bëjnë ndonjë pagesë për këtë”, ka sqaruar ai.
Por, si e komenton gazetari kroat faktin që dikush në Kosovë po tenton të vendos një taksë të tillë.
“Si duket dikush në Kosovë dëshiron të qes haraç”, thotë ai.
Por Peratovic thotë se shteti duhet të merret me këtë çështje sipas ligjit, duke sugjeruar që “mos u varni shumë atyre” dhe se askush nuk guxon të vë taksë për luftën.
Ngjashëm me modelin kroat edhe kosovarët në diasporë kanë paguar para ta majme për ta ndihmuar UÇK’në duke mbledhur para nëpërmjet fondit “Vendlindja Thërret”, e themeluar nga krahu i LPK’së e që shpesh është përfolur për keqpërdorime. Një fond tjetër i njohur si “Fondi i 3 përqindëshit” ishte ngritur më herët dhe ishte menaxhuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila kishte ndërtuar qeverinë e saj në ekzil. Po ashtu edhe ky fond është përfolur për keqpërdorime, ndërsa drejtuesit e tij Bukoshi e Mustafa shpesh janë akuzuar se nuk i kanë dhënë fonde UÇK’së për luftë pasi “institucionalistët” kishin themeluar edhe forcat e tyre të njohura si FARK që shpesh përqeshen nga rivalët se krejt kohën e kanë kaluar në Shqipëri.
Në vend ka shpërthyer një debat i madh pasi prokurori Elez Blakaj i cili la pozitën e tij për të shkuar në Amerikë pasi gjeti se rreth 19 mijë veteranë të rrejshëm janë “infiltruar” në lista. Blakaj u akuzua rëndë nga Haradinaj duke ia përmendur Bllacën vend ku ishin dëbuar shqiptarët gjatë luftës dhe duke e etiketuat si hajn të pulave, ndërkohë që në këtë përplasje bashkëpunëtorët e Haradinajt po tregohen edhe më inventivë duke kërkuar të taksohen qytetarët që nuk kanë luftuar.