Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, iu është përgjigjur spekulimeve se ai mund të shkarkohet, duke thënë se një lëvizje e tillë do të dëmtonte ekonominë e vendit.
Në një intervistë për “Fox & Friends”, Trump ka thënë se tregu do të rrënohej dhe të gjithë do të ishin shumë të varfër.
Ai ishte duke folur pasi Michael Cohen, ish-avokati i tij, pranoi fajësinë për shkelje të ligjeve të zgjedhjeve dhe se kështu ishte dirigjuar nga Trumpi.
Trumpi rrallë ka folur për mundësinë e shkarkimit të tij.
“Nuk e di se si mund të shkarkohet dikush që po bën punë të mrekullueshme. Po ju them, nëse ndonjëherë shkarkohem, mendoj se tregu do të shkatërrohej, mendoj se të gjithë do të ishin shumë të varfër”, ka deklaruar ai. “Sepse pa këtë mendje (me gishtin drejtuar në kokën e tij), do të shihni numra që nuk mund të besoni”.