Ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe Shirley Cloeys DioGuardi, drejtuesit e Lidhja Qytetare Shqiptaro –Amerikane (LQSHA) në një intervistë për INA flasin për idenë e fundit dhe debatet për shkëbimin e mundshëm të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.
Ish-kongresisti dhe lobisti i parë shqiptarë në SHBA, DioGuardi thotë se së pari Serbia duhet të njoh pavarësinë e Kosovës dhe pastaj të bisedohet për tema të tilla.
“Nuk mund t’u zësh besë serbëve. Ashtu siç nuk mund t’i besosh Putinit, nuk mund t’u besosh serbëve. Ata gënjejnë. Shihni se çfarë ndodhi me Millosheviçin. Le të kemi një diskutim të hapur për këtë temë, ku njerëzit mund ta dëgjojnë. Sepse çfarëdo që të jetë zgjidhja, duhet që të mbështetet nga njerëzit, përndryshe do të ketë lloje të ndryshme konfliktesh në të ardhmen”, theksoi DioGuardi.
INA: Zoti DioGuardi kemi dëgjuar shumë së fundmi për shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Lungina e Preshevës kërkon të ribashkohet me Kosovën dhe vetë Kosova mbase duhet të heqë dorë nga veriu i vendit.
Joe DioGuardi: Shqiptarët e Preshevës, disa thonë se janë 100 mijë, mbase janë më pak deri në 50 mijë, por nuk e dimë. Serbët nuk lejojnë të bëhet një census i ndershëm. Nuk e dimë ende edhe se sa shqiptarë janë në Maqedoni. Ata janë të paktën 800 mijë dhe unë mendoj mbase edhe mbi një milion. Por ata thonë jo, janë vetëm 25 për qind, që do të thotë se janë vetëm 500 mijë shqiptarë. E gjithë kjo është lojë politike, sepse nëse ata e pranojnë se janë shumë shqiptarë, atëherë duhet të bëjnë shumë më shumë për të drejtat e tyre, siç është pikëpamja ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Edhe Shirley Cloys DioGuardi ndan të njëjtin mendim.
“Pikësëpari, sipas Kushtetutës së Kosovës Hashim Thaçi nuk ka të drejtë që të hyjë në këto diskutime. Së dyti, përpara se të jetë shumë vonë, gjëja e parë që duhet thënë është se nuk mund të ketë asnjë diskutim të këtij lloji apo të çfarëdolloj gjersa të ketë një njohje universale të pavarësisë së Kosovës, realitetit të Kosovës si shtet sovran, së pari nga Serbia, por edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende”, theksoi njohësja e çështjeve të Ballkanit dhe përfaqësuesja e LQSHA, Shirley Cloyes DioGuardi, përcjell Telegrafi.