Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se fjalimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, mbajtur në Mitrovicë dje është historik.
Sipas saj fjalimi i Vuçiq është në shërbim të perspektivës, shkruan N1, përcjell Klan Kosova.
“Mendoj se fjalimi ishte instruktiv dhe historik sepse presidenti së pari shikoi nga e kaluara, në shekullin e 20-të, që ishte i rëndë, përplot luftëra dhe humbje për Serbinë, por ai gjithashtu dha edhe programin e mundshëm të ri të së ardhmes për Serbinë dhe popullin serb që nuk ishte i bazuar në fjalë dhe fraza boshe. Gjithashtu edhe perspektivën e mundshme për të ardhmen e një Serbie më të fortë, stabile dhe të zhvilluar ekonomikisht”, ka thënë Bërnabiq.
Sa i përket protestës nga banorët e Rajonit të Drenicës për të mos lejuar Vuçiqin që të shkojë në Banjë të Skënderajt, Bërnabiq ka thënë se kjo konfirmon që “liderët politikë kosovarë janë të paparashikueshëm dhe që nuk respektojnë marrëveshje”.
“Kjo është e keqe sepse ne kishim ditën e parë të vizitës së presidenti, që dha mesazhe të paqes dhe bashkëpunimit. Çka mendoj se është fatkeqësi është se politikanët e luftës, nuk mund të jenë politikanë të paqes, nuk dinë se si të sillen në emër të paqes por që merren me mesazhet e paqes që Vuçiq dha”.