Anëtari i kryesisë së PDK-së, aktualisht shef i kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, Blerand Stavileci, ia ka mësyrë që të bëhet drejtor menaxhues i KEK-ut.
Ai ka konfirmuar se ka aplikuar për këtë pozitë, raporton KTV.
Por, pavarësisht se është pjesë e PDK-së, Stavileci thotë se ky fakt nuk paraqet shkelje të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Ndërsa, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se kandidimin e Stavilecit nuk do ta përkrahte nëse emërimi i tij do të ndalohej me ligj.
Këtë deklaratë Veseli e ka dhënë pas nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi me ambasadorin britanik, Ruari O’Connell, për depolitizimin dhe rekrutimin e zyrtarëve profesionistë në pozita të larta drejtuese.
Visar Rushiti nga Demokracia Plus, thotë se zgjedhja eventuale e Stavilecit si drejtor i KEK-ut përbën shkelje të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Ai e kritikon këtë qasje të partive politike për të emëruar njerëzit e tyre në ndërmarrjet publike. Përmend disa arsye pse po bëhen këto emërime politike.
Në krye të ndërmarrjeve publike në vazhdimësi janë emëruar njerëz të politikës. Muaj më parë, kryeshef i Telekomit të Kosovës është emëruar anëtari i AAK-së dhe ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Gent Begolli.